Subscribe

Qeveria shqiptare po nxiton të dalë në tregjet ndërkombëtare për të marrë një borxh që shkon deri në 700 milionë euro.

Ky nxitim për të siguruar një shumë kaq të madhe brenda 2021 dhe jo në pranverën e vitit të ardhshëm siç ishte parashikuar, argumentohet nga Ministria e Financave me faktin se në 2022 tregjet do të bëhen më të rrezikshme kur flitet për norma interesi.

 

DELINA IBRAHIMAJ

MINISTRE E FINANCAVE DHE EKONOMISE

“Duam të marrim këtë shifër që varion nga 500 deri në 700 milionë euro sepse bankat e huaja po lajmërojnë një shtrëngim të politikave monetare vitin tjetër, duke u përkthyer në një normë interesi më të lartë. Prandaj duam të marrim një shume të madhe tani për të shmangur një borxh më të kushtueshëm vitin tjetër. Do të ketë një afat maturimi 7-10 vite, sipas kushteve të tregjeve. Jemi në fazën e fundit të dokumentacionit. Financimi do të përdoret për mbështetje të përgjithshme buxhetore.”

 

Por ndërsa ministrja Ibrahimaj bëri me dije se eurobondi i pestë do të shkojë për investime në arsim, shëndetësi e infrastrukturë, opozita kërkoi të dhëna më të detajuara pse po merret borxh dhe ku do të përdoren këto para.

 

JORIDA TABAKU

DEPUTETE E PD

 

“Po marrim borxh pa e specifikuar pse po merret borxh. Ne s’kemi pasur borxh të shëndetshëm vitet e fundit. Nuk mund të themi qe na bën mirë borxhi. Ai na bën mirë kur përdoret në fusha specifike. Lojë kungulleshkash o 500, o 700. Për mua është shumë e rrezikshme. FMN kritikon si është menaxhuar borxhi publik. Unë s’kam parë asnjë reflektim. S’mund të marrim borxh për të mbuluar gropat e buxhetit, për të paguar kontratat e PPP. Hajde diskutojmë ku ta përdorim për të nxitur ekonominë. Ka nevojë për shumë informacion. Situata është shume delikate.”

 

Këto diskutime u zhvilluan gjatë mbledhjes së Komisionit të Ekonomisë, në fund të së cilës u miratua ligji që i hap rrugë qeverisë që brenda javës së parë të nëntorit të dalë në tregjet ndërkombëtare për të marrë borxh.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *