Subscribe

Ministria e Energjisë dhe Industrisë u ka hequr licencën 40 pikave që tregtojnë me shumicë karburante. Përmes një njoftimi zyrtar, thuhet se këto biznese nuk kanë përmbushur detyrimet e tyre ligjore për të mbajtur kapacitetet e depozitave të naftës. Kjo pikë në fakt është kërkuar me ngulm nga qeveritë që vite më parë, dhe ka qenë subjekt abuzimi nga këta tregtare. Përmes detyrimit të mbajtjes së depozitave naftëmbajtëse, grosistët e karburanteve nuk mund të mashtrojnë dot me çmimin që lëviz nafta në bursa. E ndërsa në Shqipëri kjo ka ndodhur shpesh. Në momentin që nafta në tregjet globale ulet, këtu nuk reflektohet, ndërsa çmimi rritet menjëherë sapo rritet në bursa. Detyrimi është që këto firma të mbajnë rezerva sigurie sa 30 ditë të shitjeve mesatare të tyre. Vizion Plus ka mësuar se janë 26 subjekte të cilat janë gjetur se nuk kanë patur sasinë e duhur të depozitave, ndërsa 14 të tjera nuk plotësonin kushtet teknike të tregtimit të lëndëve hidrokarbure. Me anë të një urdhri në vitin 2015-të, ministri Damian Gjiknuri detyronte që të gjithë tregtarët të mbanin mostra të karburantit që blinin në vend, dhe karburantit që importonin, me qëllim kontrollin e cilësisë së naftës që shkonte te konsumatori. Paralelisht me këto masa të ministrisë së energjisë, edhe Inspektorati Shtetëror që kontrollon cilësinë e naftës dhe gazit ka gjobitur 41 subjekte të tjera që tregtojnë këto lëndë. Gjobat shkojnë deri në 300 mijë dollarë. Mes listës së publikuar nga ministria e Energjisë dhe inspektorati spikatin emra karburantesh të njohura. Gjithsej janë penalizuar 81 biznese.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *