Kryeministri italian Mario Draghi u kërkoi politikanëve të vendit të bashkohen me qeverinë e tij të re për t’u përballur me pandeminë e koronavirusit dhe shkatërrimin ekonomik që ka shkaktuar virusi. Ai tha se vendit i jepet një mundësi e pashembullt për të krijuar një botë më të barabartë, më të qëndrueshme dhe më të shëndetshme për brezat e ardhshëm.

Të mërkurën në një fjalim prej rreth 1 ore përpara Senatit, zoti Draghi u zotua për një program qeveritar të përgjegjshëm ndaj mjedisit që parashikon gjithashtu edhe një reformë dixhitale. Fjalimi i parapriu një votëbesimi të detyrueshëm më vonë gjatë ditës. Zoti Draghi pritet të marrë vota si në Senat ashtu edhe në Dhomën e Ulët të deputetëve pasi ka siguruar mbështetje të gjerë për qeverinë e tij.

“Sot uniteti nuk është një emocion, është një detyrë”, tha zoti Draghi ndërsa përfundoi fjalimin e tij. “Një detyrë që udhëhiqet nga ajo që na bashkon të gjithëve: dashuria për Italinë”, shtoi ai.

 

Zoti Draghi, ish-shefi i Bankës Qendrore Evropiane, të cilit i njihet gjerësisht merita se ka shpëtuar monedhën evropiane euron, u zotua për një përpjekje të ngjashme, për të bërë gjithçka që duhet për të dalë nga pandemia e cila shpërtheu për herë të parë në Itali vitin e kaluar. Ai tha se qëllimi kryesor i administratës së tij ishte të përballej me pandeminë e të mbronte italianët “me të gjitha mjetet”. Ai u kërkoi politikanëve të linin mënjanë interesat e tyre politikë nën një frymë sakrifice për brezat e ardhshëm.

 

Qeveria e zotit Draghi u betua gjatë fundjavës, duke i vënë kapakun disa javë të trazuara gjatë të cilave Kryeministri gjerësisht popullor Giuseppe Conte dha dorëheqjen pas largimit nga qeveria të një prej partive aleate. Falë dështimit të përpjekjeve për të krijuar një qeveri të tretë Conte, Presidenti Sergio Mattarella i kërkoi zotit Draghi, 73 vjeç, të formonte një qeveri të profilit të lartë, por jo-politik.

Kabineti prej 23 anëtarësh i zotit Draghi përfshin politikanë në shumicën e ministrive, por ka ekspertë teknikë në role kyçe, veçanërisht ata që janë përgjegjës për të siguruar që më shumë se 200 miliardë euro (240 miliardë dollarë) fonde të rimëkëmbjes nga pandemia që Italia pret të marrë nga Bashkimi Evropian të shpenzohen në përputhje me kritet e BE-së, përfshirë transformimin ekologjik dhe dixhital.

Zoti Draghi tha se qeveria e tij do të ishte “bindshëm” pro evropiane dhe pro-amerikane duke thënë se ai parashikonte në veçanti forcimin e marrëdhënieve bilaterale me Francën dhe Gjermaninë./ VOA

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *