E shtunë, 7 Nëntor 2026 Lajme Ora 7:00 deri në 07:30 Në vijim ora 07:30: Kartonat e Mengjesit Reklamo Kontakt Karriera
Vizion Plus
Breaking përditësuar 10 orë më parë
Kosova

Qeveria e Kosovës miraton masat e reja kundër koronavirusit

Qeveria e Kosovës ka miratuar masat e reja kundër koronavirusit, gjatë një mbledhjeje të mbajtur të dielën në formën online.

Këto masa do të shqyrtohen pas dy javësh, varësisht nga situata epidemiologjike, thotë qeveria.

Ndër masat e reja është orari i punës për sektorin e gastronomisë dhe qendrave tregtare. Këto nuk mund të punojnë nga ora 21:00 deri në orën 05:00.

Po ashtu, qytetarët mbi 65 vjeç do të kenë orar të caktuar të qarkullimit. Përkatësisht, ata do të mund të lëvizin nga ora 06:00 deri në orën 10:00 dhe nga ora 16:00 deri në orën 19:00. Jashtë këtij orari, ata mund të dalin vetëm për nevoja shëndetësore.

Reklamë

Ndërkaq, personat me sëmundje kronike dhe gratë shtatzëna janë liruar që të dalin në punë dhe punëdhënësit e tyre, sipas qeverisë, obligohen t’u krijojnë kushte për angazhimin e tyre online nga shtëpia.

Për të hyrë në Kosovë, duhet të prezantojnë një test negativ PCR, të gjithë qytetarët që vijnë nga vendet me rrezikshmëri të lartë.

Sipas masave të reja, institucionet publike dhe private, obligohen që “të menaxhojnë paraqitjen e stafit në punë në përputhje me Manualin për mbrojte nga përhapja e COVID -19, dhe për këtë qëllim do të inspektohen nga organet kompetente”.

Po ashtu, në fuqi mbetet edhe masa për mosgrumbullim më shumë se pesë personave ne sheshe publike, parqe dhe vende të tjera publike.

Të gjitha institucionet publike dhe private të arsimit të lartë, duhet ta organizojnë mësimin në formën online, ndërkaq, provimet, puna praktike dhe laboratorike “organizohen normalisht, por duke respektuar të gjitha rekomandimet e IKSHPK-së dhe MSH-së”, thuhet në vendimin e qeverisë.

“Matja e temperaturës është e detyrueshme për të gjithë gjatë hyrjeve në objekte”, thuhet në vendimin e qeverisë sa i përket punës së çerdheve.

Sa i përket aktiviteteve kulturore në institucionet qendrore dhe komunale, bibliotekat, galeritë, kinematë, qendrat rinore, muzetë etj, lejohet veprimtaria e tyre, por duke shfrytëzuar vetëm 30 për qind të hapësirave të objekteve përkatëse.

Ngjarjet sportive, në hapësira të mbyllura dhe të hapura, mund të mbahen, por me kufizime të pjesëmarrësve.

Sipas masave të qeverisë, në hapësira të mbyllura, gjatë stërvitjeve sportive, mund të marrin pjesë deri në 20 persona, ndërsa në organizimin e garave mund të marrin pjesë deri ne 50 persona, por duke respektuar protokollet e përcaktuara në Manualin për mbrojtje nga COVID-19.

 

Po ashtu, lejohet aktiviteti i fitneseve dhe pishinave të mbyllura për aktivitete individuale, duke shfrytëzuar vetëm 40 për qind të hapësirave.

Ndaj shkelësve të masave, përfshirë menaxhmentet e institucioneve publike dhe private që kanë për detyrë zbatimin e këtyre rregullave, organet kompetente duhet të shqiptojnë masa ndëshkuese, duke u thirrur në Ligjin për parandalimin dhe luftimin e pandemisë, thuhet në vendimin e qeverisë.

Miratimi i masave të reja vjen pasi Kosova ditëve të fundit ka regjistruar numër të madh të rasteve të reja me koronavirus.

Vetëm gjatë pesë ditëve të fundit, në Kosovë janë regjistruar 1,834 raste të reja./R.E.L

 

Vazhdo të lexosh

Reklamë