Presidenti rus Vladimir Putin ka urdhëruar njërin nga komandantët kryesorë të grupit mercenar Wagner të marrë komandën e “njësive vullnetare” që po luftojnë në Ukrainë, shenjë se Kremlini dëshiron të vazhdojë angazhimin e mercenarëve pas vdekjes së shefit të tyre, Yevgeny Prigozhin.

Në një deklaratë të lëshuar nga Kremlini të premten, Presidenti Putin i tha drejtuesit të ri Andrei Troshev se detyra e tij “është të formojë njësi vullnetare që mund të angazhohen në detyra të ndryshme luftarake, sidomos në zonën e operacionit të veçantë ushtarak” – terminologji kjo që Moska zyrtare e përdor për luftën e saj në Ukrainë.

Luftëtarët e Wagner-it nuk kanë luajtur ndonjë rol të veçantë në fushëbetejë që kur grupi mercenar mori nën kontroll qytetin lindor ukrainas të Bakhmutit në betejën më të gjatë dhe më të përgjakshme të luftës dhe pastaj u tërhoqën në drejtim të Moskës gjatë një rebelimi të shkurtër.

Pas dështimit të rebelimit në fund të qershorit, pati shumë spekulime rreth të ardhmes së grupit mercenar, që u ngrit në njërin nga elementet më të specializuar të forcave ruse të angazhuara në luftën në Ukrainë. Shumë vëzhgues presin që ky grup të përfshihet brenda Ministrisë së Drejtësisë dhe komentet e Presidentit Putin si duket konfirmojnë se një proces i tillë po ndodh.

Zoti Troshev është oficer ushtarak në pension, që luajti rol udhëheqës në Wagner që nga krijimi i grupit në vitin 2014. Ai është në listën e sanksioneve të Bashkimit Evropian për rolin e tij në Siri si drejtues ekzekutiv i grupit.

Zëvendësministri i mbrojtjes Yunus-Bek Yevkurov ishte i pranishëm në takimin e zotit Putin me zotin Troshev, shenjë që mercenarët e Wagner-it ende shërbejnë nën komandën e Ministrisë së Mbrojtjes. Në një konferencë shtypi me gazetarë të premten, zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov konfirmoi se zoti Troshev tani punon për Ministrinë e Drejtësisë dhe i referoi pyetjet e gazetarëve për kthimin e mundshëm të Wagnerit në Ukrainë tek ushtria.

Si duket takimi reflektoi planin e Kremlinit të zbarkojë sërish mercenarët e Wagnerit në vijën e frontit në Ukrainë pas rebelimit të shkurtë dhe vdekjes në rrethana të dyshimta të drejtuesit të grupit, Prigozhin dhe bashkëpunëtorëve të tij në përplasjen e avionit më 23 gusht. Armata private që dikur në radhët e veta numëronte dhjetëra mijëra pjesëtarë është mjet i vlefshëm në duart e Kremlinit.

Kryengritja e 23-24 qershorit kishte për qëllim përjashtimin e udhëheqjes së Ministrisë ruse të Mbrojtjes, të cilën zoti Prigozhin e fajësonte për shpërdorim të luftës në Ukrainë dhe për përpjekjet për ta futur Wagner-in nën kontroll. Mercenarët e tij morën nën kontroll selinë ushtarake jugore të Rusisë në Rostov-mbi-Don dhe pastaj vazhduan drejt Moskës para se të ndërpriste papritmas kryengritjen.

Presidenti rus Putin i quajti ata “tradhtarë”, por Kremlini shpejt negocioi një marrëveshje që i dha fund kryengritjes në këmbim të amnistisë nga përndjekja penale. Mercenarëve u dhanë mundësi të zgjedhin të pensionohen nga shërbimi, të largohen në Bjellorusi apo të nënshkruajnë kontrata të reja me Ministrinë e Drejtësisë.

Në muajin korrik, zoti Putin tha se kishte takuar 35 komandantët e Wagner-it, përfshirë zotin Prigozhin, dhe u kishte sugjeruar që të vazhdojnë të shërbejnë nën komandën e zotit Troshev, i cili mban nofkën “Flokë thinjuri”, por zoti Prigozhin atë kohë refuzoi ofertën.

Ndërkohë, Ministria britanike e Mbrojtjes tha të premten se qindra ish pjesëtarë të Wagner-it kanë filluar të zbarkojnë në Ukrainë për të luftuar me ushtrinë ruse ose me grupet ushtarake private.

Veteranët e Wagner-it, sipas tyre, janë të përqendruar përreth Bakhmutit, ku përvoja e tyre do të konsiderohej e rëndësishme për shkak të njohurive me vijën e frontit dhe taktikat e ushtrisë ukrainase të fituar nga lufta dimrin e kaluar./Voa

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *