Vladimir Putin ka akuzuar Bashkimin Evropian se po përpiqet të përdorë asetet e ngrira ruse për të financuar Ukrainën, duke i krahasuar udhëheqësit evropianë që kërkojnë ta bëjnë këtë me “banditë”. Ai pretendon se ky është një akt “vjedhjeje që bëhet hapur, jo fshehurazi”.
Presidenti rus paralajmëroi se përdorimi i aseteve të ngrira ruse për të financuar Ukrainën “do të kishte pasoja serioze”, pasi samiti i djeshëm i 27 vendeve anëtare të BE-së nuk arriti një marrëveshje për këtë çështje.
Në të njëjtën kohë, ai vlerësoi se sekuestrimi i aseteve ruse në Evropë do të minonte besimin në eurozonë, pasi “sapo të fillojë ky proces, nuk ka kthim prapa”, ndërsa pretendoi se financat publike të Rusisë janë në një gjendje më të mirë se ato të Francës për sa i përket borxhit kombëtar.
Presidenti rus deklaroi gjithashtu se Moska do të mbrohet në gjykata, në juridiksione që nuk varen nga vendimet politike, dhe argumentoi se Evropa herët a vonë do të detyrohet të kthejë atë që u “mor” nga asetet ruse.
Mbi 2 milion pyetje
Putin, i cili ka qenë në pushtet për 25 vjet, ka mbajtur konferencën e përvitshme vjetore, e cila zgjat disa orë dhe transmetohet drejtpërdrejt në televizion, që nga viti 2001.
Me këtë rast, presidenti rus i referohet çështjeve të ndryshme, nga gjeopolitika te ekonomia, apo edhe planet e tij për të ardhmen.
Të mërkurën, Putin përsëriti se qëllimet e Rusisë në Ukrainë “padyshim do të arrihen”, qoftë përmes diplomacisë apo mjeteve ushtarake.





