Vladimir Putin ka mbajtur sot konferencën e tij vjetore për shtyp.
Në minutat e para të konferencës, presidenti rus deklaroi se Moska nuk beson se Ukraina është gati për bisedime paqeje.
Rusia, nga ana tjetër, është “e gatshme” të përfundojë luftën në Ukrainë bazuar në parimet që i paraqiti Ministrisë së Jashtme ruse në vitin 2024.
Në të njëjtën kohë, presidenti rus shprehu kënaqësinë e tij me përparimet territoriale që ushtria ruse ka bërë kohët e fundit në Ukrainë, duke siguruar se ajo po “përparon në të gjitha frontet”. “Trupat tona po përparojnë përgjatë gjithë vijës së frontit, armiku po tërhiqet në të gjitha drejtimet”, tha ai.
Putin tha se ishte i bindur se deri në fund të vitit do të kishte edhe më shumë suksese ushtarake, pasi Rusia kishte ndërmend të “lëvizte më tej në perëndim” pas përparimeve të fundit në Ukrainë.
Putin, i cili ka qenë në pushtet për 25 vjet, e ka mbajtur këtë konferencë për shtyp në fund të vitit, e cila zgjat disa orë dhe transmetohet drejtpërdrejt në televizion, që nga viti 2001.
Gjatë konferencës, presidenti rus i referohet çështjeve të ndryshme, nga gjeopolitika te ekonomia, apo edhe planet e tij për të ardhmen.
Të mërkurën, Putin përsëriti se qëllimet e Rusisë në Ukrainë “padyshim do të arrihen”, qoftë përmes diplomacisë apo mjeteve ushtarake. Ai gjithashtu foli me tonë shumë të ashpra ndaj udhëheqësve evropianë, të cilët, sipas tij, aspirojnë të shkaktojnë “kolaps” të Rusisë.
Kjo konferencë vjetore për shtyp është një mundësi për presidentin rus të dëgjojë ankesat e qytetarëve nga rajone të ndryshme të Rusisë, vendit më të madh në botë, siç janë gjendja e spitaleve apo mungesa e shkollave.
Sipas zëdhënësit të Kremlinit, Dmitry Peskov , Putin u përgatit për këtë intervistë të mërkurën “deri vonë natën”, duke lexuar pyetje nga qytetarët dhe vazhdoi përgatitjet e tij gjatë gjithë të enjtes.





