Presidenti rus Vladimir Putin dhe homologu i tij turk, Rexhep Taip Erdogan do të takohen të martën në Teheran për të diskutuar mbi eksportin e grurit ukrainas.

 

Rusia, Ukraina, Turqia dhe Kombet e Bashkuara pritet të nënshkruajnë një marrëveshje gjatë kësaj jave, e cila synon rifillimin e dërgesave detare të grurit nga Ukraina përmes Detit të Zi, të cilat u ndërprenë pas vendimit të Rusisë për të dërguar forcat e saj të armatosura në Ukrainë, në muajin shkurt.

 

Putinit dhe Erdoganit do t’i bashkohet të martën edhe presidenti iranian Ebrahim Raisi për të diskutuar krizën në Siri, ku të tri shtetet janë të përfshira në operacione ushtarake.

 

Çështja e dërgesave të grurit ukrainas do të diskutohet me presidentin Erdogan…Ne jemi gati të vazhdojmë të punojmë për arritjen e një marrëveshjeje”, tha të hënën Yuriy Ushakov, këshilltar i politikave të jashtme të Rusisë.

 

Portet ukrainase që ndodhen në Detin e Zi, që përbënin rrugët kryesore të eksporteve bujqësore të vendit, janë bllokuar që nga nisja e pushtimit rus. Si Rusia ashtu edhe Ukraina janë furnizues kryesore të drithërave në tregjet botërore. Rusia është gjithashtu edhe një prej eksportuesve më të mëdhenj të plehrave kimike, ndërsa Ukraina është një prej prodhuesve kryesorë të vajit të misrit dhe atij të lulediellit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *