Presidenti rus, Vladimir Putin do të mbajë konferencën e tij vjetore për shtyp, si një traditë e qeverisjes së tij, më 14 dhjetor. Siç zakonisht ndodh, presidenti rus do të marrë pyetje drejtpërdrejt nga qytetarët por këtë herë do të pyetet për herë të parë që nga pushtimi rus i Ukrainës në shkurt 2022.

 

“Më 14 dhjetor, Putin do të bëjë një bilanc të vitit,” tha zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov , duke sqaruar se konferenca për shtyp dhe pyetjet e qytetarëve drejtuar presidentit do të transmetohen nga rrjetet televizive.

 

Konferenca vjetore e Putin zakonisht cilësohet si një formë e tij për t’i treguar “dhëmbët” botës, duke nënvizuar arritjen e objektivave në fusha ekonomike dhe ushtarake të Rusisë.

 

Putin, në pushtet që nga viti 1999 si president apo kryeministër, nuk ka shpallur ende nëse do të kandidojë në zgjedhjet presidenciale të marsit 2024 për të kërkuar një mandat tjetër gjashtëvjeçar.

 

Megjithatë, gjashtë burime konfirmuan për Reuters në fillim të këtij muaji se presidenti rus ka vendosur të kandidojë sërish pasi beson se duhet ta udhëheqë vendin në periudhën më të rrezikshme me të cilën është përballur në dekada.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *