Pajisjet për shërbimin satelitor të internetit të Elon Musk, Starlink, kanë mbërritur në Ukrainë pasi një nga ministrat e saj i bëri thirrje personalisht miliarderit që t’i ndihmojë përballë pushtimit rus.

 

Pajisjet mund të ndihmojnë në ofrimin e internetit në zonat ku qasja në internet është goditur për shkak të sulmit të urdhëruar nga presidenti rus, Vladimir Putin, ndaj shtetit fqinj, më 24 shkurt.

 

“Starlink – arriti. Faleminderit Elon Musk,” shkroi ministri i Ukrainës, Mykhailo Fedorov, të hënën me një foto të një kamioni të ngarkuar me terminale të Starlink.

 

“Jeni shumë të mirëseardhur”, shkroi në Twitter themeluesi i SpaceX.

 

Fedorov i kërkoi Muskut të ofrojë shërbime të Starlink në Ukrainë disa ditë pas fillimit të pushtimit javën e kaluar, duke postuar në Twitter: “Derisa përpiqeni të kolonizoni Marsin – Rusia përpiqet të pushtojë Ukrainën! Derisa raketat tuaja zbarkojnë me sukses nga hapësira – raketat ruse sulmojnë njerëzit civilë ukrainas.”

 

Grupi i monitorimit të uebit NetBlocks ka raportuar një sërë ndërprerjesh të rëndësishme në shërbimin e internetit në Ukrainë pas fillimit të pushtimit rus.

 

Starlink operon një gamë prej më shumë se 2000 satelitësh që synojnë të ofrojnë qasje në internet në të gjithë planetin. Kompania lëshoi të premten 50 satelitë të tjerë Starlink dhe shumë të tjerë janë planifikuar të vendosen në orbitën e Tokës./R.E.L

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *