Gjykata e Beratit dha sot masën e sigurisë “Arrest në burg” me afat 30 ditë deri në plotësimin e veprimeve hetimore nga ana ana e prokurorisë për 31-vjeçarin Karafil Bregu.

Inxhinieri i pyjeve, Bregu, u arrestua një ditë më parë, pas vdekjes së punonjësit të Drejtorisë së Bujqësisë në bashkinë Berat, Shkëlqim Metkaj, i cili ra gjatë punës për prerjen e një lisi shekullor dhe gjeti vdekjen.

31-vjeçari Karafil Bregu akuzohet për “Shkelje të rregullave të sigurisë gjatë punës”. Sipas organit të akuzës, ai nuk ka marrë masat e mbrojtjes në punë për punëtorët si dhe nuk ka qenë prezent gjatë punës kur u rrëzua punonjësi Shkëlqim Metkaj, i cili ndërrojë jetë.

Gjyqtarja Klejda Çapja, pasi ka dëgjuar palën akuzuese dhe avokatin mbrojtës Arhenc Berati, ka vendosur caktimin e masës së sigurisë “Arrest në burg” me afat 30 ditë deri në plotësimin e veprimeve hetimore për inxhinierin e pyjeve në Bashkinë Berat.


Sipas palës mbrojtëse 31-vjeçari Karafil Bregu, nuk ka qënë në punë ditën që ndodhi ngjarja e rëndë. Sipas avokatit, klienti i tij është arrestuar në mënyrë të paligjshme pasi ka qenë i karantinuar prej ditësh në banesën e tij në lagjen “Uznovë”, për shkak se kishte shfaqur shenja të Covid-19. Ai ishte në pritje të përgjigjes së tamponit të bërë. Avokati Arherc Berati ka deklaruar se do të apelojë masën e arrestit për klientin e tij.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *