Subscribe

Punimet për bulevardin e ri të Tiranës po ecin me ritme të larta dhe sipas kryebashkiakut Veliaj, 500 metrat e para do të jenë gati në muajin maj.

 

 “Kemi ecur shumë me punimet në Bulevardin e Ri, duhen edhe pak javë derisa të hapet parkingu i madh nëntokësor. Duke filluar nga maji, do të hapim për përdorim rreth 400-500 metrat e para të Bulevardit, për të siguruar edhe hyrjen në parkim për ata që kanë punë në zonën e  ish Stacionit të Trenit. Kemi marrë disa vendime të rëndësishme për ndriçimin. Akset kryesore do të ndriçohen me një ndriçim të përshtatshëm për makinat, e për të gjithë ata që do të përdorin bulevardin. Do të kemi një ndriçim më miqësor për sheshet kryesore, duke nisur nga sheshi kryesor që është tek ish Stacioni i Trenit, pra aty ku kryqëzohet Bulevardi i Ri me të vjetrin dhe me Unazën, dhe mandej të dyja shëtitoret”. – tha Veliaj

 

Veliaj tha se vëmendje shumë të madhe po i kushtohet edhe gjelbërimit në këtë segment.

 

“Ndërkohë që gjithë muaji mars ka qenë një muaj i pyllëzimit të Tiranës, nga sheshi Skënderbej, Liqeni i Farkës, Liqeni i Tiranës dhe kryesisht pyllëzimi më i madh, bimësia më e madhe është mbjellë në bulevardin e ri. Kur të hapet perdja te ish Stacioni i Trenit, besoj se do të jetë një surprizë shumë e këndshme për qytetarët, teksa do të shohin që mijëra pemë, tashmë të rritura, i kanë dhënë shumë hir Bulevardit të Ri”.

 

Kryebashkiaku theksoi se Bulevardi i Ri nuk do të jetë vetëm një hapësirë për makinat dhe kalimtarët, por edhe për ata që duan të pushojnë në gjelbërimin që e rrethon.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *