Punimet bllokojnë për disa orë rrugën Mjekës–Kuqan, pjesë e aksit Elbasan–Cërrik, si do të devijohet qarkullimi

Një pjesë e aksit rrugor Elbasan–Cërrik do të jetë e bllokuar për disa orë gjatë ditës së sotme, për shkak të punimeve për riparimin e Kanalit “Naum Panxhi”.
Bëhet fjalë për segmentin Mjekës–Kuqan, në Njësinë Administrative Shirgjan, ku kanali pësoi dëmtime disa javë më parë.
Për të shmangur vështirësitë në qarkullim, drejtuesit e mjeteve do të devijohen në rrugën Kanali me Kama–Bugjes–Kuqan.

Autoritetet lokale bëjnë me dije se janë në mbështetje të Policisë Rrugore dhe Policisë Bashkiake për menaxhimin e trafikut dhe garantimin e një qarkullimi sa më të lirë dhe pa probleme.
Drejtuesve të mjeteve u kërkohet të tregojnë kujdes dhe të ndjekin sinjalistikën dhe udhëzimet e policisë gjatë kohës që do të vijojnë punimet.






