Gjatë muajit Nëntor, janë punësuar 58 mjekë të rinj në qendra shëndetësore dhe spitalet publike në vend me portalin “Mjekë për Shqipërinë”. Gjatë takimit me mjekët e punësuar rishtazi, Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu tha se portali do të jetë gjatë kohës i hapur për t’u krijuar mundësinë mjekëve për t’u njohur me vendet e lira të punës dhe për t’ju bashkuar sistemit shëndetësor publik.

 

“Jam e kënaqur që 58 mjekë do të jenë pjesë e armatës së mjekëve në sistemin publik që do t’i atashohen qendrave shëndetësore dhe spitaleve tona si mjekë të përgjithshëm, mjekë familje edhe si mjekë specialistë. Ndryshe nga më parë, sot informacioni për vendet e punës është I hapur dhe i aksesueshëm nga të gjithë dhe ju jeni shembulli i punësimit me meritë, në bazë të aftësive tuaja” – tha ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu gjatë takimit me mjekët e sapo punësuar.

 

Manastirliu tha se Portali “Mjekë për Shqipërinë” ka rritur transparencën në punësimin e mjekëve.

 

“Portali ‘Mjekë për Shqipërinë’ është një instrument që u krijon një mundësi më të mirë mjekëve jo vetëm për identifikuar pozicionet e lira në sistemin publik, por ky sistem i ri si dhe portal ‘Infermierë për Shqipërinë’ ka tjetërsuar të gjithë mekanizmin e rekrutimit të profesionistëve të shëndetit duke nisur nga infermierët, laborantët duke vijuar tek mjekët në sistemin publik”, tha Manastirliu.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *