Subscribe

Dalja e parë publike e liderit të opozitës Lulzim Basha pas pushimeve u përqendrua tek një bisedë e përgjuar mes nënkryetarit të KQZ, Denar Biba dhe gjyqtarit shqiptar në Strasburg Ledi Bianku.

 

Një audiopërgjim në bazë të të cilit pretendohet se Denar Biba ka ushtruar presion për pezullimin e vendimeve në lidhje me pronat në emër të Sekretarit të Përgjithshëm të kryeministrisë Engjëll Agaci.

 

Më mori Engjëll Agaçi, Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave, e më thotë ç’e ke Ledi Biankun?

I thashë…

Më thonë që nga gjithë këta që kemi afër ne ti e ke.

 Tha… hajde të pimë një kafe… ky muhabet të mërkurë, të enjte…

Tha, kemi këto problemet, e di ti gjithë kjo historia që do kërkohet shtyrja.

Të lutem tha, ti lutesh të na gjendet në gjithë këtë histori …

 

Biseda është zhvilluar në vitin 2014 dhe asokohe Denar Biba ka qenë në krye të Komisionit të Prokurimeve Publike dhe pjesë e përgjimit është edhe një fjali e cila nga opozita lexohet si shantazh ndaj gjyqtarit të Strasburgut.

 

“A të ndalon më ky tren në stacion? Të ngelesh pa punë dhe ç’të vajti sakrifica! Njeriu bën kompromise në jetë.”

 

Për Lulzim Bashën ky audiopergjim është një akt mafioz i cili përbën një rast të paprecedentë jo vetëm në historinë e shtetit shqiptar, por edhe në historinë e Gjykatës Europiane të Drejtave të Njeriut.

“Sipas regjistrimit audio të publikuar nga media, Denar Biba, në emër të Engjëll Agaçit, Sekretar i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave, ka shantazhuar gjyqtarin shqiptar në Strasburg, që të bëjë kompromis me Qeverinë në kurriz të të drejtave të pronarëve shqiptarë. Kërcënimi është i qartë: Nëse nuk zbaton porosinë e Edi Ramës “pas përfundimit të mandatit do të mbetet pa punë dhe se sakrifica për të zbatuar me korrektësi ligjin nuk do t’i shërbejë për asgjë”.

 

Sipas Bashës në këtë situatë Prokuroria duhet të kishte nisur menjëherë hetimet ndaj sekretarit të përgjithshëm të kryeministrisë dhe numrit dy të KQZ.

 


“Engjëll Agaçi dhe Denar Biba, në bashkëpunim me njëri-tjetrin dhe me porosi të Edi Ramës, kanë kryer veprat penale të korrupsionit aktiv dhe ushtrimit të ndikimit të paligjshëm në kryerjen e detyrës dhe marrjen e vendimeve nga personat që ushtrojnë funksione publike.”


Lideri i opozitës ka theksuar se ky audio përgjim shpjegon mekanizmin që përdor kryeministri Edi Rama për të kontrolluar çdo vendim të sistemit te drejtesisë.

 

“Urdhëruesi i kërcënimit të gjyqtarit shqiptar në Strasburg, është vetë Edi Rama. Asgjë tjetër nuk e justifikon dot heshtjen e Edi Ramës i cili sot duhet shkarkojë nga detyra Engjëll Agacin dhe Denar Bibën e tja dorëzojë drejtësisë.”

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *