Për herë të fundit para betejës elektorale të 11 majit, Partia Socialiste dhe Partia Demokratike bashkuan votat për të ndryshuar Kodin Zgjedhor për votën e diasporës.
Me 108 vota pro e asnjë kundër u miratuan ndryshimet që sanksionojnë se emigrantët nuk do të paguajnë për të dërguar me postë fletën e votimit, pasi atë do ta paguajë shteti shqiptar.
Për t’u lënë më shumë kohë shqiptarëve që jetojnë jashtë vendit që të votojnë afatet për regjistrimin e partive e koalicioneve do të afrohen bashkë me listat e kandidatëve për deputet të cilat duhet të dorëzohen në KQZ deri në datën 12 mars.
Ndërkohë që për kërkesën e opozitës që të lejohen të votojnë të gjithë shtetasit shqiptarë me pasaporta të huaja nuk u arrit kompromis, por partitë politike vendosën ti kërkojë KQZ të përpiqet të gjejë një zgjidhje.
Pjesë e paketës konsensuale që kaloi sot në Parlament janë edhe disa ndryshime që lidhen me fushatën zgjedhore brenda vendit.
Së pari, u rrit tavani i shpenzimeve që partitë politike kanë të drejtë të bëjnë në fushatë, së dyti kandidatët që ndodhen në listën e hapur kanë të drejtë të financojnë fushatën e tyre me një fond deri në 3 milion lekë si dhe kanë të drejtë të bëjnë reklamë në media deri në 140 minuta.
Ndryshimet do të hyjnë menjëherë në fuqi, pasi presidenti ka dhënë dakordsinë paraprakisht.
Me konsensus mazhoranca dhe opozita miratuan edhe vendimin që parashikon se 150 milionë lekë do t’u ndahet partive politike si fond për fushatën zgjedhore.
Ndërkohë që mazhoranca e opozita nuk arritën të gjenin gjuhën e kompromisit për zgjedhjen e Avokatit të Popullit, pasi Partia Socialiste kërkoi më shumë kohë që të diskutonte për procesin e zgjedhjes së tij.
Partia Demokratike propozoi për këtë post ish të përndjekurin politik Besim Ndregjoni, por votimi u shty derisa mazhoranca e opozita të gjejnë gjuhën e kompromisit.
/vizionplus.tv