Opozita kërkon që emigrantët shqiptarë që jetojnë nëpër botë të votojnë në zgjedhjet e 11 majit me pasaportat e përkatësisë së vendit ku jetojnë, në rast se ata nuk disponojnë mjet identifikimi shqiptar. Mazhoranca nga ana tjetër thotë se kjo gjë është e pamundur pasi nuk e lejon Kodi Zgjedhor.
Anëtarja e Kryesisë së Partisë Socialiste, Evis Kushi në një lidhje të drejtpërdrejtë në edicionin qendror të lajmeve në Vizion Plus, me gazetarin Aleksandër Furxhi tha se është e pamundur që kjo kërkesë e opozitës të plotësohet, pasi një person i cili nuk ka të dhëna të regjistruara qoftë edhe një herë të vetme në gjendjen civile nuk mund të identifikohet.
Intervista e plotë:
-Çfarë mund të ndani me publikun lidhur me punën që jeni duke bërë me diasporën?
Evis Kushi: Ne jemi të gjithë në terren, duke filluar që nga puna me organizatat tona, që janë në Shqipëri, por po ashtu edhe me strukturat që kemi ngritur në vendet ku ka më shumë shqiptarë si Greqi dhe Itali. Jemi në komunikim të përditshëm dhe fokusi ynë për momentin është te procesi i regjistrimit, por ndërkohë në parlament dy palët kanë ngecur të disa çështje.
-Edhe ju keni objektiv që të regjistroni sa më shumë emigrantë. Çfarë objektivash ka PS, çfarë numrash do të arrijë?
Evis Kushi: Nuk mund t’iu them numra për momentin. Vota e diasporëësa ka qenë një ëndërr e kahershme, kanë qenë përpjekje të vazhdueshme dhe sot janë realitet.
-A keni në Kryesinë e PS informacione mes jush se ku janë negociatat me palën tjetër? Për marrëveshjen lidhur me kartat biometrike të identifikimit?
Evis Kushi: Vota e diasporës është miratuar që në vitin 2020. Por më pas kur duheshin përcaktuar modalitetet se si do të zbatohej, filloi opozita të tërhiqej, të bojkotonte komisionet. Në korrik të vitit të kaluar negociuam çdo detaj me opozitën. Dakordësuam që regjistrimi do të bëhej me një dokument identifikimi. Ne kemi toleruar që edhe po të jetë i skaduar dokumenti përsëri regjistrimi do të jetë i mundur. Dakordësuam që komisioni do të ishte teknik në KQZ por edhe këtu jemi të hapur meqë opozita kërkon që komisionerët të jenë politikë. E vetmja pikë për të cilën nuk mund të biem dakord, dhe ka ardhur papritur, është dokumenti i dentifikimit biometrik. Na kërkohet nga opozita që emigrantët të votojnë edhe pa pasur asnjë dokument shqiptar identifikimi. Kjo do të sabotonte të gjithë procesin.
-Jemi ende në këtë pikë “të vdekur”? Nuk ka përparim?
Evis Kushi: Nuk ka sepse ishin vetë përfaqësuesit e opozitës, qëkur kemi diskutuar në korrik dhe kemi rënë dakord që duhet të jetë patjetër një dokument shqiptar, nuk mundet. Sepse sistemi është i lidhur me sistemin e gjendjes cilive. Pra duhet që të kemi të paktën një herë të regjistruara të dhënat biometrike të personit. Nëse nuk ekzitojnë është e pamundur të idenfitikojmë një person dhe të jetë zgjedhës./vizionplus.tv