Mazhoranca nuk përjashton mundësinë e reduktimit të numrit të bashkive në mënyrë që reforma administrative territoriale të jetë efektive për vitet e ardhshme.
Në mbledhjen e komisionit të posaçëm, ku për herë të parë iu bashkua dhe anëtarësia e Partisë Demokratike, ishin socialistët ata të cilët vunë në dukje rezultatet e reformës së vitit 2015 si shembull ku duhet të bazohen për të ardhshmen.
“Nuk diskutohet që duhet të reduktohet numri i bashkive në mënyrë që të ketë bashki me më shumë kompetenca, fonde por pse jo edhe më tepër shërbime për qytetarët. Por kjo mbetet për tu diskutuar në mbledhjet e ardhshme”, tha deputeti i PS Blendi Klosi.
Por opozita nuk ndau të njëjtin mendim. Madje e cilësoi të dështuar, reformën territoriale të mëparshme.
“Një prej sukseseve të reformës është shtimi i dërgimit para drejtësisë e kryetarëve të bashkive. Këto gjëra që thoni tani u thanë dhe në 2014-ën por çdo gjë u vendos në bazë të votave dhe produkti final ishte i njëanshëm”, tha bashkëkryetari i PD i reformës territorial Luçiano Boçi.
Megjithatë, socialistët u treguan të qartë se retorika politike duhet lënë jashtë diskutimeve, në mënyrë që kjo reformë t’i shërbejë qytetarëve.
“Mendoj se së pari duhet të fokusohemi tek procedurat teknike. Ne kemi afate dhe duhet të nxjerrim një produkt brenda korrikut të vitit të ardhshëm, prandaj të fokusohemi tek procedurat teknike”, deklaroi bashkëkryetari i PS së reformës territoriale.
Gjatë mbledhjes si opozita ashtu dhe mazhoranca, ranë dakord sa i përket kalendarit të punimeve të komisionit të posaçëm për reformën territoriale, ndërsa së shpejti pritet që të zhvillohen dëgjesa me institucionet vendore./vizionplus.tv





