Deri më 29 prill kur të përcaktohet kalendari i veçantë për zgjedhjen e presidentit të ri, procesi që udhëhiqet nga Partia Socialiste do të prihet nga konsultime së pari mes vetes, më pas me opozitën, shoqërinë civile dhe popullin.

 

Të parët që do të japin propozimet e tyre janë 74 deputetë socialistë. Përmes kësaj flete, ata do të japin tre propozimet e tyre.

 

Nga e marta e 19 prillit mazhoranca qeverisëse është e disponueshme të ulet në tryezë më atë që rregullorja e Kuvendit njeh si kryetar të grupit parlamentar të Partisë Demkratike, Enkelejd Alibeajn.

 

“TAULANT BALLA

KRYETAR I GRUPIT PARLAMENTAR PS

Opozita mund të vijë me propozimin që duan të jetë një përfaqësuesi i tyre dhe ne do të diskutojmë me ta përse një president që duhet të zgjedhim në vitin 2022 duhet të jetë realisht mbi palët.”

 

Në pozitën kur i zotërojnë 71 votat pro për ta zgjedhur të vetëm kreun e ri të shtetit në raundin e katërt, kushti i socialistëve për një president të propozuar nga Partia Demokratike zyrtare është.

 

“Shqipërisë nuk i duhet një president tjetër nga opozita aktuale.”

 

I përjashtuar është Komisioni i Rithemelimit i udhëhequr nga Sali Berisha edhe pse nga ky i fundit nuk është kërkuar pjesëmarrja në proces, pasi e cilëson një farsë që do të mbyllet me përcaktimin e emrit nga kryeministri Edi Rama.

 

“Të ketë në Kuvendin e Shqipërisë një grup, Komisioni i Rithemelimit? Nuk ka një grup parlamentar me këtë emër, kështu që se njoh.”

Emrat e propozuar nga socialistët, shoqëria civile dhe populli nuk do të bëhen publike. Më të propozuarit do të shkojnë në tryezën e Edi Ramës dhe nga ato të dhëna socialistët thonë se do të ndërtojnë profilin e presidentit të ri, që si kryekriter ka të jetë krejt i ndryshëm nga Ilir Meta dhe të mos jetë një opozitar aktiv.

 

“Mos prisni që pas çdo procesi konsultimesh ne të themi, këta janë pesë janë më të kuotuarit, më i votuari apo më pak i votuari. Kjo nuk shkon. Ne duhet të identifikojmë sesi duhet të jetë presidenti i republikës.”

 

Nga Partia Socialiste është kërkuar që raundi i parë i zgjedhjes së presidentit të zhvillohet në 4 maj, çka do të thotë se brenda dy javësh socialistët do të kenë kandidaturat e tyre.

 

Me premisën se shancet për një presidenti të propozuar nga opozita apo si rrjedhojë e konsensusit janë të vakëta, tre raundet e para që kërkojnë 84 vota duket se nuk do të prodhojnë të zgjedhurin e ri në krye të shtetit. Vetën në raundin e katërt aty ku PS i ka 71 votat e nevojshme pro, do të mësojmë se kush do të jetë pasaardhësi i Ilir Metës, një socialist apo një emër që nuk vjen nga politika por që mban kostumin e kërkuar nga mazhoranca qeverisëse.

 

 

 

 

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *