PS kërkon historinë, opozita ndryshimin/ 3.6 milionë shqiptarë zgjedhin Parlamentin e ri

Këtë të diel, shqiptarët do të drejtohen në kutitë e votimit për të zgjedhur kryeministrin e ri dhe 140 ligjvënësit në Parlament. Në këtë garë, Partia Socialiste është e vetme, e cila kërkon të bëjë historinë, duke marrë mandatin e tretë qeverisës.
Ndërsa Partia Demokratike e Lëvizja Socialiste për Integrim, si edhe partitë e vogla aleate, garojnë së bashku. Ata kërkojnë mandatin e parë qeverisës për të sjellë ndryshimin, pas tetë viteve në opozitë.
Për herë të parë në këto zgjedhje garojnë edhe parti të reja si Bindja Demokratike e Astrit Patozit, Lëvizja për Ndryshim e Jozefina Topallit, Nisma Thurje e Rudina Hajdarit, Lëvizja Demokratike Shqiptare e Myslim Murrizit dhe kandidatë të pavarur të Lëvizjes Vetëvendosje.
Janë gati 3 milionë e 600 mijë shqiptarë të regjistruar në listat e votuesve për zgjedhjen e parlamentit të ri të vendit. Kjo do të jetë hera e parë që në Njësinë 10 në Tiranë do të pilotohet elektronika.




