Kryeministri dhe njëkohësisht kryesocialisti Edi Rama po zhvillon pasditen e kësaj të marte një takim me qytetarët në Gjirokastër, në kuadër të fushatës elektorale.
Rama kërkoi votën e qytetarëve në garën e madhe të 11 Majit, duke theksuar se Shqipëria ka pësuar një transformim drastik.
Rama deklaroi se me ndryshimet e bëra në Gjirokastër, çdo person që ka kërkuar të largohej nga vendi, është rikthyer dhe madje nënvizon kryeministri, ka investuar në biznese fitimprurëse.
Kreu i Partisë Socialiste u ndal edhe tek reforma në drejtësi. Ai tha se më parë asnjë zyrtar, apo person i përfshirë në politikë nuk merrej në pyetje, por gjithçka ka ndryshuar tashmë.
Rama: Unë jam shumë krenar që sot PS ka këtë fuqi të madhe të grave dhe vajzave, që i është bashkuar fuqisë së djemve që kanë qenë këtu gjithmonë. Kemi gjithë arsyet e botës të jemi krenarë dhe të mos ndalemi. Kemi arritur të kemi 40% gra, por nuk duhet të ndalemi derisa të shkojmë në 50%, e as kur të arrijmë që të kemi një vajzë e një grua më shumë.
Transformimet kanë kthyer shpresën dhe kanë bërë që kushdo që ishte nisur për Greqi, të mendohej të kthehej dhe të investonte. Ja një rast tipik, e kemi dhe kandidat për deputet. Është kthyer dhe tani rri këtu në Gjirokastër dhe ka bërë një investim, që është nga më të bukurit e qytetit.
Shqipëria është si një tru i ndarë. Ndaj them, andej nga ana tjetër e trurit ka ujë, është kënetë. Të thuash që është populli i sëmurë, apo që i ka blerë Edi Rama të gjithë, ndërkohë që Shqipëria është bërë një vend që e respekton gjithë dynjaja, është e pabesueshme. Këtu është marrë peng një pjesë e trurit të popullit shqiptar. Nuk e shohim atë që ndodh, janë më të verbër se të verbërit, më të shurdhër se të shurdhërit. Unë i bëra një pyetje pensionistëve sot, se unë nëse do të organizoja debate, nuk do lija asnjë panel pa një analist pensionist. U thashë pensionistëve, ngrini dorën kush e ka dëgjuar emrin Altin Dumani. Të gjithë e kanë dëgjuar. Dumani është profesionist dhe meriton gjithë respektin dhe solidaritetin për sulmet që i bëhen. Por Altin Dumani nuk erdhi nga Hëna. Ishte në Shqipëri, në Tiranë, dhe prej vitesh punonte si prokuror. Si ka mundësi që as unë, as ju nuk e dinim që ekzistonte një prokuror me këtë emër? Si ka mundësi që gjithë këto vite ky prokuror s’ka thirrur asnjë zyrtar me pushtet që ta merrte në pyetje?
Si ka ndodhur kjo? Që nga viti 1912 nuk kishte ndodhur që një person i lidhur me pushtetin politik të merrej në pyetje nga një prokuror. Këtu në këtë vend, para 10-14 vjetësh, ka ndodhur që i pari i vendit të bëjë sehir, po e them kështu, se në fakt ka bërë edhe më shumë, me vrasjen e protestuesve përpara dritares së vet. E parafytyroni ju sot këtë?
Ka ndryshuar diçka shumë thelbësore. Ka ndryshuar Shqipëria. Ka ndryshuar komplet drejtimi.
/vizionplus.tv





