E martë, 6 Tetor 2026 Zilia deri në 15:00 Në vijim ora 15:00: Lajme Ora 15:00 dhe Moti Reklamo Kontakt Karriera
Vizion Plus
Video · Politikë

PS i beson emrave të rinj, Rama në krye të skuadrës së Tiranës. Të vjetrit betejë në listë të hapur

Nga Ermal Qori

Me shumë surpriza dhe skuadër të rifreskuar, Partia Socialiste zyrtarizoi 2 orë përpara afatit përfundimtar listën shumëemërore me kandidatët për deputet që do të dalin në fushë në parlamentaret  e 11 majit.

Reklamë

Socialistët kanë ruajtur thuajse të njëjtën strategji kandidimi si në 2021, ku ‘xhaketat’ e vjetra të PS, do të përballen në listë të hapur duke luftuar për të siguruar  karrigen në sallën e parlamentit.

“Ne i kemi shfrytëzuar listat e mbyllura për të hapur partinë, për ta bërë hapjen brutale, në sensin që nëse kapacitete e brendshme në territor nga pikëpamja e qasjes organizatave janë të tilla që e pengojnë hapjen, ne duhet ta imponojmë në një moment kyç, duke i dhënë mundësi të rinjve dhe të rejave që përndryshe nuk do të futeshin dot”, tha Rama.

Kryesocialisti Edi Rama do të jetë i pari i Tiranës, aty ku pritet të zhvillohet edhe beteja më e rëndësishme e forcave politike.

Sipas listës së sigurt, në këtë qark, rreshtohen disa nga figurat kryesore socialiste të angazhuara si pjesë e skuadrës drejtuese, si Ogerta Manastirliu, Elisa Spiropali, Lindita Nikolla apo Taulant Balla.

Megjithëse në kabinet edhe me kontribut, si figura të reja  në listë të sigurt për rolin e ligjvënësit u kandiduan edhe Ministri i Jashtëm Igli Hasani apo Ministrja e Shëndetësisë Albana Koçiu.

Në qarkun e Tiranës nuk munguan as emrat surprizë si Iris Luarasi apo Endrit Braimllari i sapolarguar nga Partia e Lirisë.

Ashtu siç parashikohej, deputetët me më shumë se 1 mandat, si Fatmir Xhafaj, Pandeli Majko, Mimi Kodheli, Xhemal Qefalia apo Klotilda Bushka do të përballen në listë të hapur me kundërshtarët, por edhe mes tyre për të ruajtur pozicionin e ligjvënësit në parlament.

Por jo të gjithë deputetë socialist e kishin këtë fat, pasi 24 prej tyre u përjashtuan përfundimisht nga gara.

Lista me kandidatët e përjashtuar

Gjatë rubrikës Sy m Sy, Rama nuk la pa ironizuar edhe listën garuese nga kampi opozitar.

“Është tribuna VIP kënetës. Doni të shihni kush janë VIP-at e kënetës, shikoni skuadrën në listën e mbyllur të Tiranës të Shqipërisë madhështore, ku mungon Kujtim Gjuzi. I cili po keqpërdoret në mënyrë brutale”, tha Rama.

Por si i komenton Rama demokratët që i bashkohen skuadrës socialiste?

“Alban Zeneli ka qenë deputet i PD. Ai PD do, me qejf, por nga ana tjetër nuk do bufin edhe unk do tribunën VIP të kënetës. Ka hapësirën të jetë këtu”, u shpreh kryeministri.

Në kërkim të fitores së sigurt, socialistët përdorën të gjitha strategjitë për të maksimalizuar votat në 11 maj, duke përfshirë edhe 3 kryetar bashkish si, Ervin Demo në Berat, Tërmet Peçi në Tepelenë dhe Agron Malaj në Mat.

Si në çdo proces përzgjedhës nuk munguan as të qejfmbeturit. I pari që njoftoi tërheqjen nga gara ishte deputeti Petro Koçi, ndërsa më pas Nasip Naço dhe Laert Duraj.

Zgjedhjet parlamentare të 11 majit do të përfshijnë për herë të parë në votime edhe 250 mijë votues nga diaspora shqiptare.

/vizionplus.tv

Më shumë video

Reklamë