Në tryezën e tij, kryeministri Edi Rama ka emrat më shumë të propozuar nga të tijët për presidentin e ri.
Se kë duan më shumë në krye të shtetit 74 deputetët pas dorëzimit të propozimeve do të mbetet në dijeninë e kupolës drejtuese të Partisë Socialiste.
Kryesocialisti Edi Rama thotë se nga emrat që të tijët i sugjeruan, ai do të ndërtojë portretin e të parit të shtetit, që do të rivendosë marrëdhëniet e respektit së pari mes qeverisë dhe së dyti me partnerët ndërkombëtar, veçmas me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“EDI RAMA
KRYETAR I PARTISE SOCIALISTE
Përzgjedhja e një pasuesi të presidentit me skandaloz që ka njohur historia nuk mjafton thjesht të zgjedhim një persona që do të ishte më i përshtatshëm sesa Ilir Meta. Ai i dha vendit një president që ishte shëmbëlltyra më e keqe e opozitës më të keqe që ky vend ka pasur qysh prej vitit 1991.”
Nga socialistët kërkohet një shtetar që kushtetueshmëria e tij të mos përfundojë në dyert e Gjykatës Kushtetuese, të cilën Edi Rama e kritikoi për vendimin ndaj presidentit Ilir Meta, duke mos e shkarkuar atë.
“Konfirmoji edhe Gjykata Kushtetuese duke konfirmuar drejtësinë e vendimit të Kuvendit të Shqipërisë por duke e lënë në mes të rrugës vendimin e vet pasi e konsideroi shkeljen jo mjaftueshmërisht për ta shkarkuar presidentin. Se çfarë duhet të bënte tjetër Ilir Meta që të shkarkohej, kjo do të mbetet një enigmë që nuk do ta mësojmë kurrë.”
Me zgjedhjen e kreut të ri të shtetit, mazhoranca qeverisëse do t’i rikthehet angazhimit të saj për të përcaktuar qartësisht me ligj detyrimet e të parit të vendit.
“Nuk bëhet qesharak dhe i rrezikshëm duke rreshqitur jashtë binarëve të kushtetutës siç ndodhi me Ilir Metën.”
Pjesë e këtij angazhimi do të jetë edhe krijimi i një sistemi të ri të ndarjes së titujve dhe medaljeve nga presidenti. Edi Rama mendon se Ilir Meta është kontribuuesi kryesor në shndërrimin e vendit në qesharak me vlerësimet e bëra.
“E ka bërë Shqipërinë qesharake me dekret presidencial me tonelatat më të larta të teneqeve të shpërndara në Shqipëri qysh se Shqipëria ka hyrë në epokën e bronxit.”
I vetëdeklaruar kundër zgjedhjes së presidentit nga populli, kryeministri Edi Rama tha se në anketimin e radhës së Këshillimit Kombëtar, popullit do t’i drejtohen me pyetjen nëse i pari i shtetit duhet të zgjidhet nga ai dhe nëse të gjithë faktorët politikë janë të gatshëm për të ndryshuar kushtetutën.





