Subscribe

Ende pa hyrë në fashën e diskutimeve më të rëndësishme, në tryezën e “zgjedhores” Partia Socialiste nuk ka hedhur asnjë propozim për ndryshime në kodin zgjedhor.

Socialisti Arben Pëllumbi që është edhe një prej anëtarëve të komisonit të reformës zgjedhore thotë për Vizion Plus se brenda shumicës socialiste ka mendime të ndryshme për formulën e votimit të kandidatëve për deputetë, me lista plotësisht apo pjesërisht të hapuara.

“Ne nuk është se jemi ulur për ta diskutuar këtë çështje, nëse i duam ose jo 100 të hapura. Në fillim do të duhet të dëgjojmë ekspertët. Unë mendoj se të dyja variantët kanë anët e mira dhe defektet e tyre. Kështu që kjo duhet vlerësuar edhe në kushtet reale dhe pastaj duhet parë se cili është edhe qëndrimi i krahut tjetër, i opozitës.”

Vota e diasporës është një tjetër çështje për të cilën PS i duhet të dalë me një propozim. Do ta marrë përsipër ta zgjidh në tryezën e “zgjedhores” apo do t’ia lë atë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

“Të shikojmë sesi mund t’i hapim rrugë votës së diasporës, nëse mund të bëjë kuvendi diçka. Në dijeninë time, ne besojmë se i kemi bërë detyrat që duhet të bënim në lidhje me votën e diasporës, në rast të kundërt të dalin aktet nënligjore sikundër ne kemi menduar.”

Pavarësisht shumicës së deputetëve protestues demokratë që pamundësojnë mbledhjen fizike, Arben Pëllumbi, thotë se ata nuk do të mund ta bllokojnë punën.

“Sigurisht që ne nuk e kemi ne opozionin tonë që t’ia shtyjmë përësëri mandatin atij komisioni. Kjo do të thotë që në rast se duhet të ndërrmeren inisiativa për të marrë parasysh vendimet e GJK dhe për tu bërë disa ndryshime të caktuara që imponohen nga këto vendime do të gjenden mënyrat sesi, aleancat e brendshme në kuvend, deputetë që mund të mendojnë të votojnë dhe vlejnë që të votojnë për këtë gjë, ashtu siç duhet të funksionojë normalisht një parlament.”

Akuzave të dy grupimeve te Sali Berishës dhe Gazmend Bardhi, se Edi Rama është marrë vesh me Lulzim Bashën për ndryshimet në kodin elektoral, i përgjigjet:

“Mazhoranca ka disa detyrime dhe një nga këto detyrime është pikërisht plotësimi i të gjithë kuadrit ligjor për zgjedhjet e vitit 2025, ato që janë realisht të domosdoshme për tu bërë. Ne këto do t’i bëjmë. Në një mënyrë ose tjetër këto duhen bërë se përndryshe na rrezikohen zgjedhjet e 2025-ës. A i bëjmë brenda komisionit apo jashtë tij, kjo do të bëhet. Opozita e ndarë apo e bashkuar, me vulë apo pa vulë, me rithemelim apo pa, e ka shancin që të sjellë propozimet e veta.”

Të martën komisioni i reformës zgjedhore ka parashikuar mbledhjen e rradhës. Për tu dëgjuar jane organizata të lidhura drejpërdrejt me proceset elektorale. Zhvillimi i saj fizikisht apo online do t’i mbetet aksionit të opozitës./vizionplus.tv/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *