Opozita shfrytëzoi mbledhjen e parë të parlamentit pas zgjedhjeve për të denoncuar procesin e 11 majit.
Në këtë seancë nuk ishin parashikuar diskutime, por Partia Demokratike shfrytëzoi hapësirat që i lejon rregullorja e Kuvendit, për të akuzuar Partinë Socialiste se përdori bandat kriminale për të ndikuar në rezultatin e zgjedhjeve.
“Përfaqësues të klaneve më të egra të botës, nuk mund të ishit ndryshe. Këta mund të ishit. Më e ndershme që në Kuvend të ulej Xhevdet Troplini, Altin Hajri, Elvis Doçi, Suel Çela, Pëllumb Gjoka, Arben Qimja. U përdorin juve si lecka politike në funksion të perandorive të krimit”, tha Berisha.
Edhe pse PD kërkoi ndryshimin e rendit të ditës për të lejuar diskutimet në seancë plenare, kërkesa u hodh poshtë nga mazhoranca, e cila miratoi me votat e saj kalendarin e ligjeve që Parlamenti do të shqyrtojë në 3 javët e ardhshme.
“Të heq të drejtën e fjalës, s’mund të vish këtu pas humbjes tënde turpëruese dhe të tentosh të prishësh Kuvendin e Shqipërisë. Ky është rendi i ditës, keni bërë kërkesë, s’mund të flasësh, e ke mbyllur siç e ke mbyllur gjithmonë. Mbyllet seanca plenare”, u shpreh Spiropali.
Mbledhja e Parlamentit zgjati vetëm 15 minuta dhe kryetari i PD Berisha akuzoi shumicën se po dhunon çdo hapësirë që i takon opozitës.
“Kësaj i thonë kur Parlamenti shtrohet në një bodrum të mafias, nuk respekton asnjë rregull, as të Rregullores, as Kushtetutën dhe as ligjet, Parlamenti përdoret si dyqan privat i partisë së krimit dhe ishte një seancë ndër më të turpshmet, ku pas një farse elektorale të paprecedentë në vend që qytetarët të dëgjonin të gjitha faktet, argumentet e opozitës dhe deputetëve për atë çfarë ndodhi më 11 maj, këta ia mbathin brenda disa minutave”, tha Berisha.
PD ka vendosur që çdo mbledhje të këtij Parlamenti ta shfrytëzojë për të denoncuar zgjedhjet e 11 majit, por ende partia më e madhe e opozitës nuk ka vendosur se si do të veprojë në shtator kur të mblidhet Parlamenti i ri.
/vizionplus.tv





