Provokimi i Vuçiç/ Basha: Të pranohet që Kosova është e pavarur

Provokimi i presidentit serb, Aleksandër Vuçiç me hartën e Kosovës nxiti reagime të shumta. Më i fundit që reagoi është kryedemokrati Lulzim Basha.
Në rrjetet sociale, ai bëri thirrje që të pranohet realiteti që Kosova është e lirë dhe e pavarur. Sipas tij, këto veprime si të Vuçiç nxisin vetëm përçarje.
“Deklaratat dhe veprimet e Presidentit të Serbisë Aleksandër Vuçiç nuk i shërbejnë bashkëpunimit, paqes dhe stabilitetit në rajon, ato nxisin konflikt dhe perçarje. Kosova e pavarur është realitet i pakthyeshëm. Shfaqje të tilla nacionaliste dëmtojnë vetëm Serbinë dhe tregojnë qasjen destruktive të lidershipit të saj. Sa më shpejt të pranohet realiteti i Kosovës së lirë dhe të pavarur, aq më mirë do të jetë për Serbinë, popullin e saj dhe gjithë Ballkanin për të ecur më shpejt drejt BE-së si interesi më i mire i popujve tanë.”




