Provimet e klasave të nënta, nxënësit përgatiten për provimet që zhvillohen në qershor
Për nxënësit e klasave të nënta, provimet e arsimit bazë janë një nga sfidat më të rëndësishme të vitit. Por sa të përgatitur janë ata për këtë moment?
Mësuesit thonë se puna për provimet ka nisur që në shtator dhe se modeli i testit tashmë është i njohur për ta.
“Që në momentin kur kemi bërë prezantimin e temës së parë, u themi nxënësve që kjo është një pyetje provimi. Gjatë muajve në vijim, i rikthehemi këtyre temave me miniteste të shkurtra, teste praktike dhe metoda të veçanta. Unë mendoj që nuk kanë shkallë të lartë vështirësie, sepse kur nxënësit njihen me modelin e provimit dhe kanë punuar mbi të gjatë gjithë vitit, është shumë më e lehtë. Vetë testi është mesatar, në përputhje me temat që bëjmë çdo ditë.”, thot Trëndelina Zhupa,
mësuesja e matematikës në shkollën “Vasil Shanto”
Ndërsa muajt kalojnë, intensiteti i përgatitjeve rritet. Muaji shkurt është kthyer tashmë në periudhën e konsultimeve. Për mësuesit, kjo është një fazë kyçe për t’i ndihmuar nxënësit të ndihen më të sigurt.
“Muaji shkurt është gjithmonë muaji i konsultimeve. Nga mëngjesi, fillojnë konsultimet me nxënësit. Ato janë të lira, por nxënësit me arritje të ulëta duhet të vijnë patjetër. Ka interes dhe ndjejnë përgjegjësinë që ky është një provim i rëndësishëm. Edhe pse testi është mesatar, fëmijët gjithsesi kanë stresin e tyre, por ne mundohemi t’ua heqim. Sepse, nëse ke njohuritë e duhura dhe i përdor ato siç duhet, provimi është shumë i lehtë.”, tha mësuesja.
Për nxënësit, ka filluar numërimi mbrapsht drejt provimeve. Testi i parë, ai i gjuhës shqipe, do të zhvillohet më 20 qershor, ndërsa më 21 qershor do të jetë radha e gjuhës amtare për nxënësit e pakicave kombëtare
Më 25 qershor, ata do të përballen me matematikën, ndërsa provimi i fundit, ai i gjuhës së huaj të parë, do të mbahet më 28 qershor.




