Subscribe

Nga dhjetori i këtij viti, kushdo që rinovon patenten, do të jetë i detyruar të kalojë më parë në një provim.

Sipas këtij vendimi të bërë publik në rrjetet sociale, drejtuesit e mjeteve do të zhvillojnë një intervistë të shkurtër verifikuese për informacionet mbi sigurinë rrugore, pikat e nxehta të trafikut, kujdesin ndaj fëmijëve dhe pasagjerëve në kabinë, vëmendjen ndaj pedaluesve e këmbësorëve apo për sjelljen në trafik dhe në zonat urbane.

Drejtoria e Transportit Rrugor do të vendosë në dispozicion për shoferët pyetësorin apo një broshurë që do të përmbajë informacionet për të cilat ata duhet të kenë dijeni.

Nëse një shofer nuk e kalon fazën e intervistës, ai do të shkojë në një seancë mësimore përditësuese, për të cilën po mendohet të vendoset edhe një tarifë, që drejtuesit e mjeteve të mos e neglizhojnë.

I pyetur nga “Vizion Plus”, kreu i Drejtorisë së së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor, Blendi Gonxhja tha se ky do të jetë një filtër për kujdes e riinformim sepse vihet re injorancë nga shoferët në rrugë.

Për drejtuesit e mjeteve do të bëhet edhe një apel-kujtesë për historikun e gjobave të marra. Është menduar që kjo masë të zbatohet nga dhjetori, si muaji me fluks të lartë aplikimesh edhe nga ardhja e shumë emigrantëve.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *