Muzetë e Vatikanit, në të cilat ndodhen disa nga thesaret më të mëdha të artit në botë, të premten filluan të kërkojnë certifikatën e vaksinimit për vizitorët. Dëshmia e imunizimit mund të jetë në formë dixhitale ose e printuar në letër.

Turistë dhe adhurues të artit presin në radhë për të hyrë në muzetë mahnitëse të Vatikanit.

Ata mirëpresin zbatimin e masës së miratuar nga qeveria italiane, me qëllim të luftimit të variantit shumë ngjitës të koronavirusit, Delta.

Certifikata e vaksinimit është një dokument dixhital ose i printuar në letër që tregon nëse njerëzit janë vaksinuar, janë testuar negativë, ose nëse janë shëruar nga COVID-19.

Dëshmia e vaksinimit është e detyrueshme për të hyrë në bare, restorante, palestra, kinema, teatro, muze, ngjarje sportive dhe koncerte.

Pasi hyri në fuqi në të gjithë Italinë, edhe shteti i vogël i Vatikanit që ndodhet në Romë, vendosi zbatimin e certifikatës së vaksinimit.

“Mendoj se certifikata e vaksinimit është një masë e mirë sepse kufizon përhapjen e infeksionit. Në këtë vend të gjithë janë të lirë të zgjedhin, prandaj askush nuk është i detyruar të vaksinohet, por për mendimin tim çertifikata është gjë e mirë sepse përhapja e variantit Delta nxjerr situatën jashtë kontrollit”, tha Tosca Riboni, banore e Romës.

“Nëse certifikata e vaksinimit është mënyra për rikthimin e jetës në normale, le të bëhet”, thotë banorja tjetër e Romës, Giusy Dido.

Italia po ndjek hapat e Francës, që është vendi i parë evropian që njoftoi se dëshmia e imunizimit do të jetë e detyrueshme për qasje në një sërë shërbimesh dhe vendesh.

“Në Francë ka disa ditë që zbatohet. Ne punojmë në një muze dhe na është bërë shprehi. Mendoj se organizimi është i lehtë, prandaj jemi të lumtur që edhe këtu kërkohet çertifikata e vaksinës”, thotë Emilie Girard, turiste nga Franca.

Qeveria njoftoi se nga 1 shtatori do të zgjerojë zbatimin e çertifikatës së vaksinës për të gjithë mësuesit, studentët e universiteteve dhe punonjësit e transportit në rrugë të gjata./ VOA

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *