Disa prova në vendin ku ndodhi atentat në Lundër të Tiranës, atentat i cili la pas 4 persona të plagosur, dy prej tyre të mitur, duken si një dritë jeshile për policinë e Tiranës. Pikërisht këto prova, japin shpresë për hetuesit e krimeve të rënda për zbulimin e identitetit të dy autorëve të dyshuar si dhe në zbardhjen e plotë të ngjarjes së rëndë.
Burime bëjnë me dije se pikërisht në këtë vend ku ndodhi dhe atentati ku u qëllua me breshëri plumbash në drejtim të mjetit luksoz tip G Class, janë gjetur disa sende personale që mendohet se u përkasin dy autorëve.
Sipas hetuesve, autorët kanë qëndruar për një kohë të shkurtër në atë vend, ku dyshohet se u kanë rënë disa objekte dhe kanë dëmtuar edhe një gardh metalik.
Pikërisht në këto sende, janë zbuluar gjurmë dhe material gjenetik, të cilat janë dërguar në laborator për analizë. Pritet që në vijim të kryhen krahasimet gjenetike për të identifikuar dhe ndaluar personat e përfshirë në atentat.
Dy autorët e plagosjes së katërfishtë, menjëherë pas atentatit u larguan me shpejtësi në drejtim të Elbasanit.
Pasi dolën në autostradë, janë futur në zonat rurale të Tiranës për të humbur gjurmët, ndërkohë që motori i dyshuar që u përdor nga ata u gjet më pas i djegur në afërsi të Mulletit.
Hutuesit e krimeve të Rënda në Policinë e Tiranës po hetojnë disa pista. Një nga këto pistat dyshohet se shënjestër mund të ketë qënë gruaja e Roan Brahimit e cila jeton në afërsi të banesës së dy të miturve.
Ditën e atentatit, dy orë përpara, në Lezhë u vra Gjovalin Prendi, babai i Roan Brahimit, ky i fundit i njohur për përplasjet e forta mes tij dhe grupeve rivale.
Një tjetër pistë që po verifikohet nga policia është ajo e fajdeve, nëse familja e dy fëmijëve të mitur që mbeten të plagosur janë të përfshirë në këto skema të jashtëligjshme apo jo.
Në këtë rast, hetuesit kanë dyshime se përplasja me persona të tjerë për shkak të fajdeve të pashlyera mund të jenë një motiv për atentatin e rëndë. Edhe në këtë pistë e cila është në fazën e verifikimeve, grupi hetimor beson se autorët kanë ngatërruar shënjestër duke mos ditur se brenda mjetit ishte shoferi i familjes Demiraj, dy djemtë e mitur si dhe komshiu i tyre adoleshent.