Protestë për vrasjen e 14-vjeçarit, kërkohet më shumë siguri në shkolla dhe dorëheqja e ministres së Arsimit
Nga Sesila Frangu
Siç ishte paralajmëruar qindra prindër dhe të rinj kanë dalë në protestë këtë të enjte pas vrasjes së 14 vjeçarit Martin Cani.
Marshimi nisi nga shkolla “Fan Noli” aty ku i mituri u godit për vdekje me thikë nga bashkëmoshatari i tij, për te vazhduar drejt ministrisë së Arsimit.
Gjatë protestës, nëpërmjet një mesazhi të dërguar në celular, nëna e Martinit shprehu falënderimin ndaj çdo personi që i qëndroi pranë në momentet e tij të fundit.
“S’di sa mirënjohëse mund të jem për ata/ato që ju gjetën aty Martinit në momentet e tij të fundit. Ju falenderoj nga zemra. Martini ishte i mbushur me ëndrra dhe jetë, ja morën të dyja. Si nënë që jam, uroj nga thellësia e shpirtit që askush mos e provoftë një dhimbje të tillë. Respekte Florina dhe Angel Cani”, kishte shkruar nëna e të ndjerit.
Pjesëmarrësit në protestë, të tronditur nga ngjarja dhe me lot në sy, apeluan për më shumë siguri në institucionet arsimore.
“Nuk e përfytyroj dot që fëmijës tim t’i pritet ëndrra në mes. Thirrja ime është që fëmijëve, adoleshentëve t’iu rrinë sa më afër që të vegjël. Të komunikojnë çdo gjë me fëmijët”, u shpreh një protestuese.
“Thjesht duhet të ketë shumë kontroll mbi ato çfarë ata janë të ekspozuar. Janë të ekspozuar nga dhuna, ku nga aty marrin edhe shembullin”, tha një tjetër me lot në sy.
“Siguria e fëmijëve nëpër shkolla duhet të jetë emergjencë kombëtare. Duhet të kemi struktura të posaçme për të siguruar jetën e fëmijëve tanë nëpër shkolla”, deklaroi një prind.
Protestuesit kërkuan edhe dorëheqjen e ministres së arsimit, Ogerta Manastirliu, një vendim që sipas tyre duhej të ishte marrë kohë më parë.
“Kërkoj drejtësi për Martinin edhe për gjithë djemtë e nënave që kanë ndërruar jetë në mënyrë të padrejtë. I kërkoj Presidentit të Shqipërisë, kryeministrit, ministres së Arsimit dhe shkollës Fan Noli të japin dorëheqjen sa më parë sepse krimi po na troket derë më derë”, tha protestuesja.
“Kërkojmë dorëheqjes e ministres së Arsimit. Dorëheqje!”, u shpreh një nga organizatorët e protestës.
Në përfundim, pjesëmarrësit paralajmëruar që protesta e radhës do të mbahet ditën e hënë në rast se nuk ka asnjë reagim nga ministria e Arsimit. /vizionplus.tv




