Largimi i oficerit të sigurisë nga shkolla “Jan Kukuzeli” në Durrës, ku ndodhen në të njëjtën godinë arsimi 9-vjeçar dhe ai i mesëm, ngjalli reagimin e fortë të komunitetit të prindërve dhe stafit edukativ.
Prindërit u shprehën të shqetësuar për cenimin e sigurinë se fëmijëve, pasi në shkollë ka një diferencë moshash, duke nisur nga 6 deri në18 vjeç.
“Dje patëm një mbledhje, kishte një email për largimin e oficeres, ndërkohë ne kemi fëmijë në fillore, por kjo është shkollë një në tre, që ka ambiente të përbashkëta. Unë nuk e ndjej veten të sigurt për fëmijët e mia, kam frikë të sjell fëmijët pa një oficer sigurie”, tha një prind.
“Ne e kemi mendjen te fëmijët. Çdo gjë mund të rrezikohet se ata janë fëmijë dhe nuk arsyetojnë shumë gjëra. Ka dhe adoleshentë. Nuk e konceptojnë frikën dhe dëmin që mund të bëjnë”, tha një prind tjetër.
“Jam baba me tre fëmijë këtu. Këtu nuk është vetëm 9-vjeçarja dhe hajt se po i mirëkuptojmë, këtu ka dhe gjimnazistë, nuk mund të shkojnë të gjithë në një banjo, kemi dëgjuar dhe kanë ndodhur, dhe mos të na ndodhë më, se po ndodhi është e kot që ne të bëjmë ankesa. Ne duam oficer sigurie në shkollë, që për çdo gjë na lajmëron. Se mësuesja mbaron punë dhe ikën”, tha prindi.
Edhe Drejtoresha e komanduar e shkollës së mesme artistike mbështeti linjën me prindërit.
“Për një nxënës të vetëm, shkolla nuk e arrin pragun minimal të arsimit të mesëm të lartë prej 80 nxënësish. Shkolla “Jan Kukuzeli” ka një karakter të veçantë, duke përfshirë tre cikle arsimore, me nxënës nga mosha 6 deri në 18 vjeç. Nga ana humane mund të bëhen përjashtime për të garantuar sigurinë në një institucion kaq kompleks”, tha Eda Deveja.
Dhe vetëm pak orë pas protestes së prindërve, Ministria e Arsimit ka rikthyer në detyrë oficeren e sigurisë./vizionplus.tv