Subscribe

“Digjet jorgani për një plesht”, kështu përkufizohet qëndrimi i kryeministrit Edi Rama ndaj protestës së një ditë më parë organizuar në mbështetje të kreut të zgjedhur për Himarën, Fredi Beleri.

 

Mesazhi i Ramës i adresohet Athinës zyrtare dhe kërkesave të vazhdueshme të kësaj të fundit për lirimin e Belerit nën trysninë e pengimit të integrimit europian të Shqipërisë. Në reagimin e tij, kreu i qeverisë e konsideron si rast të vetëm që një shtet të organizojë protestë në një tjetër shtet demokratik.

 

“Në memorien time nuk ka një rast tjetër, kur të zgjedhurit e një shteti demokratik organizojnë protestë në një shtet tjetër demokratik, kundër autoriteteve të këtij shteti. Jo vetëm kaq, po ku ata shfaqen si protestues kundër vendimeve të gjykatave përkatëse të shtetit në të cilin protestojnë, duke e absolutizuar përkatësinë etnike të subjektit të protestës mbi çdo normë juridike, standard ligjor e logjikë demokratike. Kjo është një nga ato situata tipike, kur shprehja “Jam pa fjalë!” është e para që të vjen në mend dhe do të doje të ndaleshe me aq. Por kjo është edhe një nga ato situata tipike, kur në Ballkan merr jetë ajo shprehja “Digjet jorgani për një plesht!” prandaj edhe duhet folur e bërë çmos, që ky të mos jetë kurrësesi rasti.

“Lironi Belerin dhe pikë!”, shprehet Rama.

 

Rama thekson progresin në marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Greqisë, si fryt i bashkëpunimit të tij me homologun grek, por shton se politizimi i kësaj çështje po e çon këtë raport hapa pas.

 

Thirrjet e vazhdueshme të Athinës zyrtare, kryesocialisti zgjedh t’i krahasojë me ato të një filmi sarkastik.

 

“Për mua, ky politizim i një çështjeje të drejtësisë shqiptare, deri në pikën që të organizohet një protestë këtu në Shqipëri nga autoritete të zgjedhura në Greqi, ndër të cilët as më shumë e as më pak, po edhe kryebashkiakët e dy qyteteve më të mëdha të Greqisë, mund t’i shkonte skenarit të një filmi sarkastik për marrëdhëniet ndërshtetërore në një Ballkan të denjë për stereotipin e vet të vjetër të përplasjeve “kush jam unë e kush je ti!”, po jo realitetit demokratik të fqinjësisë europiane, mes një vendi anëtar të BE-së dhe një vendi që aktualisht negocion anëtarësimin në BE”, shton ai.

 

Situata e krijuar, sipas Ramës, rrezikon që të rindezë flamën nacionaliste mes dy vendeve.

 

“Jam jo vetëm shumë i keqardhur, por edhe seriozisht i shqetësuar. Sepse ky hap i hedhur si këmba e elefantit në një dyqan qelqurinash, mund të sjellë pasojën regresive të rindezjes së flamës së nacionalizmit, e të ndjenjave negative reciproke që ajo flamë lind në shtresa të keqinformuara e në grupe të caktuara ekstremistësh, të cilët i mezipresin këto raste me bidon benzine në dorë, gjë që as nuk e dyshoj një sekondë se jo vetëm unë dhe qeveria shqiptare, po as kryeministri dhe qeveria greke nuk e dëshirojnë hiç asfare.

 

Ngado që rrotullohem për t’u futur “në këpucët e tjetrit”, unë nuk e gjej dot një rrugë që më nxjerr në shtegun e justifikimit të kësaj qasjeje ndaj një çështjeje të drejtësisë dhe nuk e kuptoj dot, se si mund të zgjidhet ky hall “i çuditshëm” i fqinjëve dhe miqve tanë, përveçse duke e lënë drejtësinë të bëjë e patrazuar punën e saj”, thekson ai.

 

Kreu i qeverisë përsërit qëndrimin e tij, duke theksuar dhe njëherë se legjislacioni shqiptar, tanimë i reformuar, nuk mund të bëjë përjashtime në bazë të kombësisë së çdokujt që përballet me togat e zeza.

 

Nga ana tjetër, trysninë e zyrtarëve të lartë grekë mbi integrimin e Shqipërisë në BE, Rama e ka cilësuar si banale dhe shton se vendi ynë po përmbush standardet e kërkuara drejt këtij rrugëtimi.

 

Problemet që kanë shoqëruar prej dekadash komunitetin grek në Himarë dhe jo vetëm, mbi çështjen e pronave, Rama e cilëson si trashëgimi të komunizmit që ka prekur një pjesë të madhe të shoqërisë. Në këtë formë ai iu përgjigjet ankesave të vendit fqinj mbi trajtimin e komunitetit të tyre nga autoritetet shqiptare.

 

Qëndrimi i kreut të qeverisë mbyllet me një thirrje miqësore për popullin grek, duke e ftuar të vizitojë Shqipërinë.

 

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *