Protestat/ Meta falenderon gazetarët: Themelore për demokracinë që të vazhdoni misionin tuaj

Presidenti Ilir Meta ka shprehur mirënjohje të thellë për gazetarët e terrenit dhe operatorët.
Përmes një postimi në “Facebook”, kreu i shtetit shkruan se ata kanë shkëlqyer me profesionalizëm dhe kurajo në këto ditë proteste.
Ai nënvizon se është themelore për demokracinë që këta gazetarë të vijojnë misionin pa u dhunuar dhe kërcënuar.
“Respekt dhe mirënjohje të thellë për gazetarët e terrenit, operatorët dhe stafet e tyre mbështetëse!
Në këto ditë të vështira për të gjithë, keni shkëlqyer me profesionalizëm dhe kurajë, në shërbim të informimit publik dhe transparencës. Është themelore për demokracinë, që secili prej jush, të jetë në gjendje të vijojë misionin, pa u dhunuar, ndaluar, kërcënuar dhe frikësuar. Do të jem përherë në krahun tuaj, në mbrojtje të lirisë dhe pavarësisë së medias”, shkruan Meta.




