Policia e Elbasanit ka proceduar penalisht deputetin e Partisë Demokratike, Luçiano Boçi dhe disa banorë të fshatit Mengël të Elbasanit, për disa vepra.

 

Përmes deklaratës së policisë të shpërndarë për mediat thuhet se nuk është ushtruar dhunë ndaj fëmijëve nga ana e policisë, duke shprehur keqardhje për akuzat e ngritura nga deputeti i Partisë Demokratike.

 

Sipas policisë Boçi bashkë me disa shtetas të tjerë akuzohet për veprat penale “Shtyrja e të miturve në krim”, “Organizim dhe pjesëmarrje në grumbullimin e manifestim të paligjshëm”, “Kundërshtim i punonjësve të policisë”, dhe “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”.

 

Gjithashtu Policia e Shtetit rithekson edhe njëherë se nuk ka ushtruar asnjë lloj dhune, ndaj asnjë fëmije. Është pyetur në prani të të afërmve dhe psikologes, i mituri që u shfaq në disa media si i keqtrajtuar. Është kryer një akt ekspertimi për fëmijën, si dhe janë marrë në shqyrtim pamjet filmike në dispozicion. Nga të gjitha veprimet proceduriale të kryera, nuk rezulton që fëmija të jetë keqtrajtuar nga Policia apo të ketë ndonjë dëmtim.

 

Ndërkohë forcat blu të këtij qyteti shprehin keqardhje për akuzat e ngritura si dhe përpjekjen e bërë nga deputeti i Partisë Demokratike, për të përbaltur punën e Policisë me qëllim pengimin në përmbushjen e misionit të saj, atë të shërbimit ndaj qytetarëve, të cilët për disa orë u penguan të qarkullonin në të dy kahet e aksit kombëtar Elbasan – Librazhd.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *