Mijëra qytetarë gjermanë kanë protestuar kundër masave kufizuese që autoritetet kanë vendosur për parandalimin e përhapjes së koronavirusit.

Demonstruesit mbanin në duar pankarta ku shkruhej: “Rezistencë”, “Liri”, “Ne jemi njerëz”.

Mediat gjermane shkruajnë se autoritetet kishin dhënë leje për një tubim paqësor ku do të merrnin pjesë 60 persona  me kushtin e respektimit te distancimit social. Por duket se kufizimet kanë zemëruar në mase qytetarët gjermanë, pasi më shumë se 3.000 protestues u mblodhën në Berlin, Mynih, Stuttgart dhe në të gjithë Gjermaninë duke kërkuar heqjen e kufizimeve.

Situata u tensionua në Mynih ku policia përdori altoparlantë për tu bere thirrje protestuesve të respektonin masat. Edhe në Dortmund, një grup ekstremistësh të krahut të djathtë sulmuan një ekip gazetarësh duke plagosur një prej tyre. Policia ndërhyri menjëherë dhe arrestoi një prej ekstremistëve.

Protestuesit në Gjermani akuzuan politikanët dhe personelin mjekësor për përhapjen e panikut dhe shkeljen e të drejtave të njeriut me masat kufizuese të tejzgjatura.

Gjermania ka regjistruar mbi 170 mijë të infektuar me Covid-19, 7.500 prej të cilëve kanë humbur betejën me sëmundjen.

Por protesta kundër masave shtrënguese për parandalimin e përhapjes së sëmundjes  u regjistruan edhe në Slloveni.  Në Lubjane qindra qytetare dolën me biçikleta në rrugët e kryeqytetit në shenjë kundërshtimi për masat e qeverisë për parandalimin e krizës së shkaktuar nga Covid-19. Edhe në Australinë e largët mijëra njerëz protestuan dhunshëm në Melburn. Policia arrestoi dhjetëra qytetarë për kundërshtim të urdhrave për të qëndruar në shtëpi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *