Sot në orën 17:00, Partia Demokratike dhe aleatët e saj do të protestojnë kundër korrupsionit të qeverisë socialiste, duke kërkuar largimin e kryeministrit Edi Rama dhe numrit 2 të qeverisë, Belinda Balluku; krijimin e një qeverie teknike që do të cojë vendin drejt zgjedhjeve të reja.
Partia Demokratike ka preferuar të mos zbulojë shumë detaje për skenarin e protestës, por si zakonisht, para qytetarëve që do të mblidhen në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, do të flasin disa prej figurave kryesore të PD-së, dhe mesazhin kryesor për betejën e opozitës pritet ta përcjellë lideri i opozitës, Sali Berisha.
Lexo edhe :
Edhe këtë herë, partitë e reja, Arlind Qori, Adriatik Lapaj dhe Agron Shehaj, nuk do t’i bashkohen kësaj lëvizjeje të PD-së.
Kjo është protesta e dytë kombëtare që zhvillon opozita pas asaj që u mbajt në datën 22 dhjetor.
Partia Demokratike vendosi protestat në qendër të aksionit të saj politik pas publikimit të hetimeve të SPAK-ut për tenderat në infrastrukturë dhe rolin e zëvendëskryeministres Belinda Balluku dhe tenderat në Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit.
Sipas kryetarit të PD-së, Berisha, vendimi i kryeministrit Edi Rama për të goditur SPAK-un në Gjykatën Kushtetuese për masën e sigurisë ndaj Belinda Ballukut dhe vendimi i tij për të mos i dhënë Prokurorisë së Posaçme imunitetin e numrit 2 të qeverisë, tregojnë se Edi Rama nuk do ta lejojë drejtësinë të godasë korrupsionin, dhe se rruga e vetme për opozitën mbeten protestat.
Vetë Berisha nuk e ka fshehur se preferon një lëvizje të qëndrueshme me protesta çdo ditë para godinës së qeverisë për të kërkuar largimin e kryeministrit Edi Rama. Megjithatë, mbetet për t’u parë se si do të ndërtojë Partia Demokratike betejën e saj kundër Edi Ramës dhe Partisë Socialiste që sapo ka nisur mandatin e katërt.
Rrugët e bllokuara
Ndërkohë Policia e Tiranës ka publikuar planin e masave për mbarëvajtjen e protestës. Sot duke nisur nga ora 15:00 deri në përfundim të tubimit, do të ketë bllokim të lëvizjes së automjeteve në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, nga kryqëzimi afër Ministrisë së Brendshme deri te sheshi “Nënë Tereza”, si dhe në rrugët “Ukraina e Lirë”, “Papa Gjon Pali II” dhe “Ismail Qemali”.
Në varësi të zhvillimit të tubimit, mund të ketë kufizime të qarkullimit të automjeteve edhe në akse të tjera rrugore.
Protestues nga rrethet
Vizion Plus mëson se rreth 500 protestues nga juglindja pritet t’i bashkohen protestës. Edhe pse mungojnë organizimet nga degët lokale sa i përket transportit, një vendim i marrë për të shmangur identifikimin nga policia, bëhet me dije se rreth 500 protestues do të udhëtojnë drejt Tiranës me mjetet e tyre personale.
Ndërkohë, në dalje të qytetit të Korçës është ngritur një postbllok policor, ku në rast dyshimesh për lëndë piroteknike apo materiale të tjera të ndaluara, do të kryhen kontrolle të mjeteve dhe personave.
Berisha me të rinjtë e FRPD një ditë para protestës
“Diktaturat autoritare kohërat provuan se antidoti është gjenerata juaj gjenerata Z. E përmbysën në Bangladesh, e përmbysi në Nepal regjimin, e përmbysi në Sri Lanka, që po i dridh themelet autokratit të Beogradit Vuçiç. Në nderin e tyre studentëve.
Sot Shqipëria ka një opozitë që qëndron e vendosur në idealet e saj gjer në përmbysjen e kësaj diktature. Kjo betejë zhvillohet në dy rrethana, kushte të favorshme. Së pari, demaskimi që i bëmë për vjedhjen e zgjedhjeve. Ky grabit zgjedhje. Ky për shqiptarët është autori i një farse elektorale.
Na jep të drejtën që çdo sekondë të punojmë kundër këtij armiku të votës së lirë. Ky duhet të ikë një minutë e më parë.
Kurrë ndonjë herë një qeveri e tillë nuk është kapur në flagrancë, në vjedhjen e mld të qytetarëve dhe përdor pushtetin për të mbrojtur. Është shkaku për të bërë gjithçka për përmbysjen e saj. Shpresa më e madhe jeni ju gjenerata juaj”.
/vizionplus.tv






