Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj ka komentuar protestën e sotme të opozitës, duke theksuar se shqiptarët do të kujtohen se kush i ka qeverisur dhe nga çfarë njerëzish kanë shpëtuar. Në një takim me strukturat e PS në Njësinë 3, Veliaj tha se e firmosi menjëherë kërkesën e opozitës për leje për të protestuar, në mënyrë që Tirana të shohë se në çfarë derexheje do të kishte përfunduar pot ë drejtohej prej tyre dhe sa larg ka ecur kur në krye të punëve është Partia Socialiste.

 

“Kur më pyetën, kryetar a do t’i japim leje Saliut për të protestuar? Për një sekondë mendova se Tirana ka nevojë të kujtojë se nga kush kemi shpëtuar, ka nevojë t’i shohë në shesh, ka nevojë të shohë Nard Ndokën – se mund të ishte ai Ministri i Shëndetësisë; ka nevojë të shohë Fatmir Mediun, se mund të ishte ai në vend të Niko Peleshit e të na hidhe në erë këtu. Ndaj u thashë se lejen duhet t’ia japim menjëherë sepse njerëzit kanë nevojë të kujtohen se nga çfarë kanë shpëtuar, se kush ka qeverisur këtë vend dhe në çfarë derexheje do të ishim sikur tërmeti dhe pandemia të ishte në duart e tyre. Duhet që njerëzve t’u freskohet kujtesa, të kujtojnë në çfarë mysybeti kemi qenë dhe sa larg kemi ecur me Edi Ramën dhe me Partinë Socialiste”, deklaroi Veliaj.

Ai tha se nga procesi i përzgjedhjes së drejtuesve të rinj të PS-së në çdo njësi është e rëndësishme të dalim më të bashkuar, më të fortë, më të dashur me njëri-tjetrin. Veliaj shtoi se PS dhe Edi Rama kanë treguar se dinë t’u shërbejnë qytetarëve me përulësi.

 

“Tërmeti dhe pandemia na e bënë të qartë se ne kemi vetëm njëri-tjetrin, prandaj është shumë e rëndësishme të jemi të njerëzishëm, të përulur, me këmbët në tokë, ashtu siç është partia jonë, forca jonë, organizata jonë, familja jonë, duke filluar nga Edi Rama, deri tek socialisti më i thjeshtë, që shërben nën siglën e trëndafilit me grushtin e bashkuar”, tha ai.

 

Duke renditur listën e gjatë të investimeve në kryeqytet, Veliaj u shpreh se PS është e vetmja forcë politike që ka lënë gjurmë pozitive në drejtimin e vendit.

 

“Kur dëgjoj ca politikanë që flasin me orë të tëra në banaqe televizionesh, ulërasin, nxjerrin nga goja mllefe të paimagjinueshme, pyes veten: Ore, kjo që ulëret kaq shumë, çfarë ka bërë? A ka lënë ndonjë gjurmë në politikë tash sa vite? Po burri i saj çfarë gjurme ka lënë në këtë qytet? Më thoni një shkollë, një kopësht, një çerdhe që kanë bërë këta! Nuk u gjen dot të kenë bërë një punë të mirë, ndërkohë që taksapaguesit e këtij vendi i kanë bërë deputetë, kryeministra, kryetarë Kuvendi, ministra disa herë. Prandaj, socialistët janë ndryshe sepse nga kryeministri ynë e deri tek shërbëtori më modest publik, kanë bërë një punë dhe kanë lënë një gjurmë në këtë qytet”, theksoi ai.

Kryetari i PS për Tiranën akuzoi opozitën se i përdor qytetarët e saj si “mish për top” vetëm për qëllimet e saj elektorale.

 

“Mjafton të kaloni tani te Astiri dhe të shikoni sa është çliruar rruga aty. Por, na bllokuan tre vjet. Thoshin: ‘Ore, t’u marrim votat këtyre që djegin gomat, pastaj në djall të vejë’, se këta shtëpitë e tyre i kanë në gjirin e Lalzit, nuk jetojnë te Astiri. Ata të Astirit i duan “mish për top”. Ne njerëzve duhet t’u themi të vërtetën. Po, tek Kodra e Priftit do kalojë Unaza. Gjurma e projektit është që në kohë të Adil Çarçanit, edhe tek Astiri, edhe tek Kopshti Zoologjik, edhe tek Kopshti Botanik, e mandej në Sauk”, sqaroi Veliaj.

 

Ai shtoi se askush nuk mund të pengojë punët e qytetit, ndërsa siguroi se të gjithë ata që preken nga këto investime do të mbështeten nga Bashkia e Tiranës përmes programeve sociale.

 

“Ne do t’i marrim këto vendime për 99% përqind të qytetarëve që duan zhvillimin, por nuk do të lemë asnjë njeri në rrugë. Bonusin e qirasë do ta marrin të plotë, ama edhe investimet do t’i bëjmë të plota. Unaza do kalojë edhe tek Kodra e Priftit, do të kalojë edhe te “5 Maji”, edhe në Tufinë. Atyre që preken, do t’u bëhen shtëpitë”, tha Veliaj.

 

Për drejtimin e PS në njësinë nr 3 në kryeqytet janë në garë shtatë kandidatë, të cilët prezantuan platformat e tyre.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *