Partia Socialiste do të votojë kundër kërkesës së SPAK-ut për arrestimin e ish-numrit 2 të qeverisë, Belinda Balluku.
Në mbledhjen e grupit parlamentar, kryeministri Edi Rama, për 80 minuta me radhë, shpjegoi pse mazhoranca socialiste nuk do të lejojë arrestimin e deputetes Belinda Balluku.
Analisti Ergys Mërtiri e cilëson qëndrimin e Partisë Socialiste si vijim të përplasjes së qeverisë me SPAK-un.
Në një lidhje të drejtpërdrejtë në edicionin qendror të lajmeve në televizionin kombëtar Vizion Plus me moderator Aleksandër Furxhi, Mërtiri u shpreh se për herë të parë në dekada një prokurori po heton figura të paprekshme politike, gjë që ka sjellë tension të hapur mes ekzekutivit dhe drejtësisë.
Ndërkohë, Partia Demokratike ka paralajmëruar protestë ditën kur do të shqyrtohet kërkesa në parlament. Kryetari i saj, Sali Berisha, ka deklaruar se protesta do të jetë paqësore.
Mërtiri u shpreh skeptik për qëndrimet e opozitës, duke i cilësuar deklaratat e Berishës kontradiktore dhe duke shtuar se përplasjet politike shpesh janë më shumë retorike sesa reale.
INTERVISTA E PLOTË:
Si e lexon këtë qëndrim politik të Partisë Socialiste?
Ergys Mërtiri: Ky është në vazhdën e asaj që Rama tashmë e ka nisur prej kohësh: një betejë me SPAK-un, një përpjekje për t’i vendosur barriera për të mos lejuar atë që të hetojë njerëzit e Edi Ramës, të cilët tashmë po bëhen shumë dhe rrezikojnë vetë qeverinë. Është thjesht një qeveri në mbrojtje nga e vetmja prokurori e pavarur, e cila në këto 35 vite ka gjetur kurajën të adresojë njerëz të paprekshëm politikë. Në rastin më të parë kur kemi një prokurori të tillë, kemi qeverinë e cila është në luftë dhe betejë me këtë prokurori. Ky është një lajm i keq që tregon se pushteti në këtë vend është aq i komprometuar, saqë nuk mund t’i rezistojë asnjë institucioni hetimor të pavarur i cili ka në fokus punën e qeverisë.
A mendon se është ky një rast tipik i mbajtjes së standardeve të dyfishta?
Ergys Mërtiri: Sigurisht që po. Deri tani Edi Rama i ka trajtuar çështjet e SPAK-ut madje si spaleta të vetat, duke u shprehur se të gjithë ata që janë kapur “kanë ngrënë dardha pas shpinës së tij”. Kjo do të thotë se punët e pista i kanë bërë pa lejen dhe dijeninë e tij. Tashmë, me sa duket, kemi një standard tjetër. Ai nuk po e lejon prokurorinë të hetojë dhe nuk po i lë në fatin e tyre ministrat të cilët hetohen nga SPAK, por është përfshirë edhe vetë. Kjo do të thotë se e ka lidhur fatin e tij me fatin e njerëzve të cilët po hetohen, në rastin konkret me Belinda Ballukun. Sigurisht që është një ndryshim kursi i Ramës përballë SPAK-ut, kurs të cilin e ka reflektuar që më herët me komisionin Xhafaj dhe me kritika të shumta që ka pasur ndaj punës së SPAK-ut.
Nga zyrtarë të Bashkimit Evropian është bërë e qartë me deklarata edhe në Tiranë se rasti në fjalë do të përbënte një test kritik për Shqipërinë, sigurisht duke nënkuptuar qeverinë. Çfarë mund të pritet si reagim pas këtij vendimi që Partia Socialiste do ta marrë edhe zyrtarisht me votë?
Ergys Mërtiri: Sigurisht që do të ketë një reagim dhe besoj se nuk do të jetë i butë, por gjithsesi është një betejë e cila do të vazhdojë. Rama ka marrë përsipër kostot e përballjes me ndërkombëtarët, të cilat duket se janë kostot kryesore që ai ka llogaritur në të gjitha hezitimet e tij për t’u kundërvënë haptas SPAK-ut në rastet e mëparshme. Tani do të shohim se kush do të ketë këmbënguljen më të madhe: Rama për të rezistuar apo ndërkombëtarët për t’i shkuar deri në fund punës që kanë nisur. Ndërkombëtarët duket se janë të vendosur ta mbrojnë SPAK-un deri në fund. Për sa i përket argumentit të Ramës se është e drejtë e Parlamentit të mos japë imunitetin, ky në fakt është një falsitet. Parlamenti nuk gjykon masën që merr një prokurori dhe që e vendos një gjykatë, është gjyqësori që ka të drejtën të gjykojë masat. Parlamenti ka vetëm një detyrë, të verifikojë nëse hetimi është politik, pra nëse nuk ka asnjë fakt për hetimin dhe gjithçka bëhet për ta penguar zonjën Balluku nga funksioni i saj si deputete. Por, vetë Rama nuk e thotë këtë dhe as avokatët e zonjës Balluku nuk e pretendojnë. Atëherë Parlamenti nuk ka asnjë të drejtë të ndërhyjë mbi masën që duhet të marrë ndaj Ballukut, e cila është atribut vetëm i gjykatës.
Partia Demokratike do të protestojë pranë Parlamentit ditën që do të shqyrtohet kjo kërkesë. Sali Berisha ka paralajmëruar se këtë herë protesta do të jetë paqësore. Pse i rikthehet Berisha togëfjalëshit “paqësore”?
Ergys Mërtiri: Në fakt, Berisha gjatë gjithë kohës e përmend fjalën “paqësore”, ndërsa vazhdon të hedhë molotovë dhe i quan “molotovë paqësorë”. Berisha është vazhdimisht kontradiktor, sepse kontradiktore është vetë qenia e tij tashmë në politikë. Nuk ka asgjë serioze në luftën e tij për të çuar Ballukun para drejtësisë, ai thjesht kërkon të kapë momentin dhe të bëjë politikë sepse i duhet të bëjë rolin e opozitarit. Ndërkohë, betejën më të madhe me SPAK-un e ka vetë ai, ashtu si Balluku dhe njerëzit e Ramës. Ky është një konflikt i simuluar ku përplasja shfaqet në skenë, por në prapaskenë palët kanë të njëjtin hall dhe janë më shumë aleatë sesa kundërshtarë.
/vizionplus.tv





