Protesta e Metës/ Balla: Si përalla “Dhelpra dhe rrushtë”, sjellje brutale

Sekretari i Përgjithshëm i PS, Taulant Balla ju kundërpërgjigj presidentit Ilir Meta sa i takon akuzave të hedhura nga ky i fundit për mazhorancën. Balla komentoi për mediat protestën e thirrur nga Meta në 2 mars, duke e krahasuar atë me përrallën “Dhelpra dhe rrushtë”.
“E dini përrallën “Dhelpra dhe rrushtë”, përgjigjen e keni aty, lexojeni me shumë vëmendje. Nuk jap asnjë koment, ju them se do të hezitoja të bëja çdo koment përkundrejt një presidenti, i cili tashmë ka humbur çdo lloj sjelljeje kushtetuese dhe çdo lloj sjelljeje normale për të vijuar për të qenë Presidenti i Republikës. Ndër gjithçka ka artikuluar këto ditë, më e rënda është ajo e një lloj sjellje aspak e pranueshme ndaj ambasadorëve të akredituar në vend.”
Numri dy i PS e akuzoi Ilir Metën se po bën një sjellje brutale dhe po shqetëson shqiptarët kur kanë gjëra më të rëndësishme për të bërë.
“Kjo lloj sjellje brutale me kërcënime dhe paketime që bën ai nuk ka të bëjë fare me zakonin e shqiptarëve. Ne jemi mikpritës, jemi aleatë besnikë të SHBA dhe një vend, i cili ka një politikë të jashtme të përafruar 100% me BE. Presidenti problemet e tjera të lidershipit të opozitës ti zgjidhë pa zhurmë brenda opozitës dhe nuk ka nevojë të shqetësojë veshët, mendjet dhe shpirtrat e shqiptarëve, pasi ky është viti i rindërtimit.”
Presidenti Ilir Meta kërkon nga populli që t’i bashkohet në 2 mars në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” për të shpartalluar sipas tij, grushtin e shtetit. Meta gëzon edhe mbështetjen e opozitës në këtë kauzë të tijën.



