Subscribe

Çmimi i ulët i luleshtrydhes ka ngritur mëngjesin e kësaj të shtune dhjetëra fermerë në protestë.

Të ardhur nga të gjitha fshatrat e njësisë administrative Frakull, ata janë bërë bashkë pasi i gjithë investimi po u shkon dëm. Ata pohojnë se për kultivuesit e luleshtrydhes ky është viti më i keq pasi kurrë më parë nuk ka ndodhur që në këtë periudhë të vitit çmimi të arrijë deri në 50 lekë për kilogramë, ndërkohë që hedhin poshtë zërat se prodhimi i kësaj zone nuk është bio.

Përballë kësaj situate fermerët kanë kundërshtuar fuqishëm dhe politikat e pikave të grumbullimit të cilat sipas tyre po e vendosin çmimin sipas dëshirës teksa apelojnë njëzëri për të gjitha institucionet përgjegjëse që tu vijnë në ndihmë në këtë situatë të vështirë që po i con drejt falimentimit.

Teksa kanë bllokuar rrugën dhe kanë hedhur poshtë produktet e tyre fermerët kanë kërkuar që Ministria e Bujqësisë të ngrejë një komision për të verifikuar pesticidet që shiten në treg dhe nëse nuk plotësojnë kriteret të asgjësohen.

Lidhur me protestën ka reaguar drejtuesi politik i qarkut Fier, Taulant Balla. Në nje deklaratë për mediat Balla u shpreh se i bashkohet shqetësimit të fermerëve.

Sipas Ballës kjo situatë ka ardhur si shkak i dezinformimit të disa mediave e portaleve të vendeve fqinje për te prishur imazhin e cilësisë së produkteve shqiptare, teksa u ka bërë thirrje kultivuesve që në këtë periudhë të shmangin përdorimin e pesticideve për të patur prodhim tërësisht bio.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *