Subscribe

Demokrati Luçiano Boçi foli në emsionin “7pa5” lidhur me protestën e 20 shkurtit të organizuar nga opozita. Ai theksoi se protesta mbart revoltën qytetare mbi keqqeverisjen e mazhorancës.

“Është një protestë që në radhë të parë ka kauza qytetare, të mungesës së sigurisë, shëndetësisë, cilësisë në arsim, sigurisë sociale, të korrupsionit galopant, shpopullimit të popullsisë, sikundër ka edhe kauza politike”, tha ai.

Por, a do të marrë pjesë Berisha në këtë protestë?

“Unë vërtetë jam pjesë e zbulimit të këtyre kurioziteteve, duke qenë pjesë drejtuese e PD, por në ligjërimin tim politik nuk besoj që thelbësore dhe themelore është kurioziteti i vogël, ai që tërheq edhe vëmëndje”, tha ai duke kërkuar që fokusi duhet të jetë protesta dhe ftesa ndaj qytetarëve për t’iu bashkuar asaj.

Ndonëse ende nuk dihet forma, Boçi njoftoi se nuk do të mungojë një komunikim i ish-liderit historik të PD, Sali Berisha, me qytetarët.

“Ka një moment shumë të rëndësishëm, vetë demokratët e duan zotin Berisha të jetë prezent fizikisht aty dhe kjo varet nga dinamika e protestës, por e rëndësishme është në fund fare që do të ketë një komunikim të zotit Berisha me qytetarët”, theksoi ai.

Nga ana tjetër, Boçi theksoi se ribashkimi i opozitës është real dhe do të japë frytet e saj.

“Ky bashkim është real sepse ky bashkim ka ekzistuar edhe para momentit të realizimit të tij, ka ekzistuar përmes aksionit që opozita ka bërë në parlament, por ka qenë një opozitë e bashkuar parlamentare. Në momentin e nënshkrimit të marrëveshjes opozita nuk është vetëm parlamentare, por është ekstra-parlamentare”, tha ai duke nënvizuar se kjo marrëveshje krijon fdederatën e opozitës së bashkuar, ku maksimalizohet forca e saj. “Aleancat janë ato që përcaktojnë edhe faktet e zgjedhjeve, edhe pse Rama ka bërë një ndërhyrje brutale në kodin zgjedhor dhe nuk lejon koalicionet”, shtoi ai.

Sipas tij, ky ribashkim vjen për shkak të kauzës dhe misionit të përbashkët të të gjithë opozitës.

“Sot jemi para një realiteti bashkimi të opozitës, jo  vetëm për hir të atyre 500 mijë-600 mijë votave, sepse është opozita e bashkuar. Ky është një bashkim në bazë të zhvillimeve politike. Ndjehet opozita në tërësinë e saj e sulmuar, sepse nëse nisemi nga mënyra se si ka vepruar drejtësia, sot krerët e opozitës mbahen nën hetim, në hetime të gjata, pikërisht nga sistemi i drejtësi që ne e kemi faktuar që është një zgjatim politik i PS”, tha ai./vizionplus.tv/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *