Bashkia e Tiranës e konsideron një sjellje vandalësh protestën tek liqeni. Nënkryetari Arbian Mazniku, tha se nje grusht përfaqësuesish te Partisë Demokratike po pengojnë ndërtimin e parkut te lodrave.
Arbian Mazniku:
Siç mund ta shihni sot, qytetarët panë sërish një akt të turpshëm dhe të tmerrshëm vandalizmi, ku një forcë politike, e cila është larguar me votë nga qeveria qendrore dhe qeveria lokale, nuk kuptoj se me çfarë të drejte vjen dhe shkatërron pronën publike të qytetarëve shqiptarë, të paguar me taksat e qytetarëve shqiptarë.
Mazniku tha se hapësira e parkut ku po ndërhyhet do të kthehet vetëm për fëmijë dhe do të jetë një hapësirë ku nuk ka asnjë interes privat. Nga ana tjetër, këshilltare të Partisë Demokratike kanë paditur kryetarin e bashkisë Erion Veliaj lidhur me projektin. Për ketë, Prokurori i Përgjithshëm Adriatik Llalla, tha se organi i akuzës po verifikon pretendimet dhe se vetëm pas këtij procesi, do te vendoset për nisjen ose jo te hetimeve. Për protestën e sotme te demokrateve reagoi dhe kryeministri Edi Rama. Shefi i qeverise postoi dy foto ne rrjetin social twitter, ku shihen makinat e përmbysura dhe të dëmtuara nga protestuesit.