E premte, 9 Tetor 2026 Trashëgimtari Halef deri në 01:30 Në vijim ora 01:30: Fat i Hidhur Reklamo Kontakt Karriera
Vizion Plus
Vendi

Propozimi për të nderuar figurën e diktatorit Hoxha në Parlament, Gentiana Sula: Të nderosh Enverin, do të thotë të mohosh krimet e tij

“Të nderosh Enver Hoxhën do të thotë të mohosh krimet e tij dhe të mos nderosh viktimat”. Kështu deklaroi në seancën dëgjimore për raportimin e veprimtarisë vjetore të Autoritetit për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit (AIDSSH), kryetarja e institucionit, Dr. Gentiana Sula, në përgjigje të shqetësimit të përfaqësuesve të opozitës lidhur me qëndrimin që mbante ndaj futjes së emrit të ish-diktatorit për nderim në një listë figurash historike të lindura në tetor, sipas një email shpërndarë për deputetët nga sekretaria e Institutit të Studimeve Parlamentare.

Kryetarja shtoi se mund të ketë qenë një lapsus administrativ dhe se AIDSSH është e hapur për të pritur çdo kërkesë nga Kuvendi në raste të ngjashme, kur nevojitet vendimi i Autoritetit.

Reklamë

️Në përmbushje të misionit të saj për edukimin qytetar dhe ruajtjen e kujtesës historike, Autoriteti ka avancuar në punën për ndriçimin e së vërtetës mbi periudhën e diktaturës dhe ndarjen e qartë midis viktimave dhe autorëve të krimeve të saj, shprehur kjo edhe nga kryetarja e AIDSSH, Dr. Gentiana Sula, e cila theksoi gjatë raportimit se ” nuk mund të ketë asnjë relativizim të krimeve të regjimit dhe asnjë nderim për autorët e tyre. Kujtimi u takon viktimave dhe të mbijetuarve.”

Në raportimin e Raportit Vjetor të AIDSSH për vitin 2024, kryetarja foli për punën e institucionit në shërbim të informimit të qytetarëve, institucioneve, studiuesve dhe medias mbi dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit.

Reklamë

Arkiva dhe digjitalizimi.Gjatë vitit 2024, Arkiva dhe procesi i digjitalizimit kanë vijuar me ritme të larta. Janë grumbulluar 3,244 njësi të reja arkivore, që përfshijnë rreth 55,000 fletë dokumente, të ardhura nga institucione të tjera shtetërore.

Falë skanimi masiv janë digjitalizuar mbi 3.7 milionë dokumente duke dyfishuar volumin e fondeve arkivore në dy vitet e fundit.

Gjithashtu, janë deklasifikuar 17,303 njësi arkivore, që përfshijnë më shumë se 1 milion faqe dokumente, duke rritur ndjeshëm mundësinë e informimit dhe të hulumtimit shkencor.

Në drejtim të së drejtës për informim, gjatë vitit 2024 janë regjistruar 503 kërkesa të reja, çka përfaqëson një rritje prej 10% krahasuar me vitin e mëparshëm.

Në total, janë përpunuar 80,474 faqe dokumentesh, prej të cilave 27,248 faqe janë anonimizuar për mbrojtjen e të dhënave personale. Norma e përmbushjes së kërkesave arriti në 96%, duke reflektuar efikasitet dhe përkushtim në ofrimin e shërbimit ndaj publikut.

Verifikimi i figurave publike.Procesi i verifikimit të figurave publike ka vijuar gjatë vitit 2024, megjithëse është shoqëruar me disa vështirësi për shkak të mungesës së bashkëpunimit nga organet e pushtetit vendor, veçanërisht në rastet që lidhen me emërimet në funksione publike, dekorimet dhe dhënien e titujve të nderit.

Gjatë periudhës raportuese janë trajtuar 82 kërkesa për verifikim, që përfshijnë 263 kandidatë për funksione publike. Nga këto, 25 individë kanë rezultuar të përfshirë në dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, në përputhje me kërkesat e ardhura nga bashkitë dhe institucionet e tjera publike. çka pasqyron rritjen e transparencës dhe efektivitetit të procesit të verifikimit.

Ky proces përbën një hap të rëndësishëm drejt rishikimit të së kaluarës dhe ndriçimit të roleve individuale gjatë periudhës së diktaturës, duke nënvizuar angazhimin e AIDSSH për ruajtjen e kujtesës historike, garantimin e transparencës dhe ndërtimin e një kuadri të drejtë për vlerësimin e figurave publike.

Anëtari i Autoritetit, z. Skënder Vrioni, theksoi se partitë politike vijojnë të mos zbatojnë detyrimet ligjore për transparencën e figurës së kandidatëve në zgjedhje, duke krijuar boshllëqe në zbatimin e ligjit nr. 45/2015 “Për të drejtën e informimit për dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit”.

Ai i kërkoi Kuvendit të Shqipërisë që të forcojë detyrimet ligjore për bashkëpunim institucional dhe të parashikojë penalitete për moszbatim të ligjit, ose të rishikojë dispozitat ligjore për t’i dhënë Autoritetit kompetenca më të qarta dhe detyruese në këtë drejtim.

Edukimi qytetar është realizuar përmes 6 Klube të Librit “Mësojmë nga e Kaluara” në qytetet Tiranë, Korçë, Lezhë, Kavajë dhe Durrës, me 346 pjesëmarrës, të cilët kanë reflektuar mbi dëshmitë, dokumentet dhe veprat që pasqyrojnë vuajtjet dhe qëndresën njerëzore gjatë diktaturës.

Janë mbajtur dy simpoziume shkencore dhe tre ekspozita arkivore tematike, të cilat kanë synuar të forcojnë kulturën e kujtesës dhe kuptimin e vlerave demokratike tek brezat e rinj. Është lancuar platforma digjitale Spac.al, që i kushtohet kujtesës së burgut politik të Spaçit, ndërsa vijon përgatitja e faqes për Kampin e Tepelenës, një tjetër hapësirë kujtese kushtuar fëmijëve dhe familjeve të internuara.

Në Arkivin Audiovizual të Autoritetit janë mbledhur në total 173 dëshmi, kryesisht nga ish-të burgosur dhe familjarë, që shërbejnë si burim për zbardhjen e historisë së represionit. Për edukimin me të kaluarën për sistemin parauniversitar janë botuar librat “Dielli lind në Spaç” dhe është përgatitur botimi edukativ “Kufij të thyer” me synimin për të sjellë në vëmendje dimensionin njerëzor të së kaluarës përmes edukimit.

Në drejtim të rritjes së cilësisë së studimeve dhe botimeve, anëtari i Autoritetit, z. Albert Nikolla, propozoi ngritjen e një njësie shkencore të specializuar në studimin e dokumenteve arkivore dhe në përgatitjen e botimeve studimore dhe edukative, që do të pasurojnë Platformën Digjitale “Mësojmë nga e Kaluara” dhe do të ndihmojnë në zhvillimin e një vetëdije të shëndetshme qytetare për të shkuarën.

Të zhdukurit gjatë diktaturës. Gjatë vitit 2024 janë administruar 59 kërkesa të reja nga familjarët e personave të zhdukur, duke e çuar në 400 numrin total të kërkesave të trajtuara nga Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit.

Nga 120 vendvarrime të dyshuara të evidentuara deri më tani, 11 janë verifikuar, hetuar dhe shënjuar nga Autoriteti, ndërsa 5 të tjera janë në proces hetimi për vitin 2025.

Në këtë kuadër, është nënshkruar marrëveshja me Komisionin Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur (ICMP) për përdorimin e metodave jo-invazive në kërkimin e vendvarrimeve në Shkodër, Mirditë dhe Himarë. Po ashtu, po zhvillohet trajnimi i stafit të Drejtorisë për përdorimin e platformës ndërkombëtare “Sistemi i Menaxhimit të të Dhënave të Integruara” (IDMS), që do të mundësojë standardizimin dhe dixhitalizimin e procesit të kërkimit.

Anëtari i Autoritetit, z. Gjergj Marku, raportoi se, falë bashkëpunimit me OSBE-në, është përgatitur dhe përcjellë projekt-VKM-ja për ngritjen e mekanizmit institucional që do të drejtojë procesin e identifikimit dhe rikuperimit të eshtrave të personave të zhdukur ose të ekzekutuar gjatë periudhës së komunizmit. Aktualisht, projekt-VKM-ja ndodhet për shqyrtim në Ministrinë e Brendshme, dhe pritet miratimi i saj për të mundësuar vijimin e gërmimeve dhe hetimeve.

Në vijim të marrëveshjes me ICMP-në, janë realizuar sondazhe në gjashtë vendvarrime, me rezultate optimiste që pritet të konkretizohen

Për punën e kryer në këtë drejtim, Autoriteti mori vlerësimin dhe mbështetjen e plotë të Kryetarit të Komisionit të Ligjeve, z. Ulsi Manja, i cili garantoi mbështetjen institucionale për miratimin e vendimit të Këshillit të Ministrave për personat e zhdukur, vendim që do të mundësojë zhvillimin e mëtejshëm të gërmimeve dhe hetimeve në terren.

Vazhdo të lexosh

Reklamë