Subscribe

I dërguari i posaçëm i SHBA për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, pret nga Prishtina një propozim konkret për asociacionin e komunave serbe deri më dy maj, kur do të zhvillohet takimi i radhës për dialogun Kosovë-Serbi.

 

Eskobar është shprehur se pas dakordësimit të palëve në Bruksel, formimi i bashkësisë së komunave me shumicë serbe tashmë është një detyrim.

 

GABRIEL ESCOBAR

 

I DËRGUARI AMERIKAN PËR BALLKANIN PERËNDIMOR

 

“Shpresoj që deri në 2 maj të ketë një propozim konkret. Është një detyrim ekzistues në bazë të marrëveshjes së Brukselit dhe ishte shumë e vështirë për këtë qeveri dhe parti që ta pranonte si të detyrueshme. Por tani po e konsiderojnë si detyrim, palët janë pajtuar me të dhe kanë thënë publikisht se cila duhet të jetë korniza dhe parametrat e Asociacionit.” 

 

Sa i përket zgjedhjeve të jashtëzakonshme në katër komuna, që do të mbahen këtë të dielë, Escobar tha se SHBA do t’i njohë ato.

 

“Ne u kemi bërë thirrje dhe unë personalisht i kam kërkuar, Listës Serbe, që të marrë pjesë dhe të mos heqë dorë nga roli që ka. Fakti që nuk marrin pjesë, është vendimi i tyre. Por nëse këto zgjedhje janë të lira dhe të ndershme, dhe unë parashikoj që të jenë, rezultati do të jetë legjitim nga këndvështrimi ynë”

 

Megjithatë, Escobar shtoi se pavarësisht bojkotit apo cilësdo parti që fiton zgjedhjet, themelimi i Asociacionit nuk duhet të vonojë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *