Subscribe

Kur kanë mbetur edhe tre vite nga përfundimi i afatit për kompensimin e ish-pronarëve, qeveria ka iniciuar disa ndryshime ligjore për të ofruar edhe aksione në shoqëri me kapital shtetëror.

 

Brenda majit, sipas Agjencisë së Trajtimit të Pronave, projektligji do të kalojë në Këshillin e Ministrave për miratim. Por Tanush Mulleti, një nga pronarët që pret prej vitesh kompensimin nga qeveria, thotë se kështu nuk zgjidhet asgjë.

 

TANUSH MULLETI
PRONAR
“Tani nxjerrin teorinë që do të bëjmë aksionerë. Po ku ka ngel ndërmarrje aksionere në Shqipëri? A do aksionerë? Një hektar qiell ose 10 hektarë det se kështu do të shkojë puna.”

 

Tanush Mulleti zotëron prona në zonën e Pazarit të Ri dhe te Pallati i Brigadave, të konfiskuara gjatë regjimit komunist dhe është ende në pritje që t’i kthehen të gjitha.

TANUSH MULLETI
PRONAR
“Sipas ligjit të 91, më janë kthyer të gjitha pronat, teorikisht. Në 93 na kthyen shtëpinë, disa dyqane. Kemi marrë disa dyqane, shtëpitë lart i kanë privatizuar. Motrat e mia nuk kanë shtëpi këtu, vajzat e mia jo se e kanë marrë shtëpinë këta të tjerët. I kemi tokat te Pallati i Brigadave, varrezat e Dëshmorëve. Tokën tonë e kanë zënë një ish-ministër, një ish-kryetare Kuvendi, futën edhe Kuvajtin, i vendosën emrin rruga e Kuvajtit. Aty është Kodra Mulleti e shkruar 400 vjet përpara. Para disa vjetësh kanë bërë rrugën. Dhanë një sasi të vogël, kaluan 6 vjet, tani kanë dhënë edhe një sasi të vogël. Doli emri për të marrë lekët, por nuk shpërndahen.”

 

Edhe Shoqata “Pronësi me Drejtësi” e konsideron lëvizjen e qeverisë për të kompensuar pronarët me aksione një propagandë.

 

MYRSHIT VORPSI
SHOQATA “PRONESI ME DREJTESI”
“Teknikisht është në kufijtë e të pamundurës sepse sot nuk kemi SHA të kësaj natyre. Po kthehet në fuqi edhe njëherë një përcaktim ligjor që për hir të së vërtetës ka qenë. Në 2015 ligjvënësi nuk parashikoi në formën e kompensimit, por u tha që prioritar do të jetë kompensimi financiar. Ka efekte propagandistike sesa do të ketë efekte reale. Kjo është një shaka. Me këtë politikë që ka ndjekur shteti shqiptar, nuk mjafton një Shqipëri për kompensimin e pronarëve. Duhen 2 ose 3 Shqipëri të tjera.”

 

Nga hyrja në fuqi e ligjit 133/2015 deri në dhjetor 2021, Agjencia e Trajtimit të Pronave thotë se ka ekzekutuar 794 vendime me një vlerë prej 7,8 miliardë lekësh dhe se nga Fondi Fizik i pronave ka shpërndarë 713 hektarë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *