Subscribe

Partia Demokratike ka reaguar pasi Prokuroria i ka komunikuar akuzën kreut të PD Lulzim Basha, për falsifikim dokumentesh, ndërsa ka hedhur poshtë akuzën për lobimi rus dhe pastrim parash.

 

Në reagimin e selisë blu për mediat theksohet se është vendimi i Prokurorisë ka vertetuar se nuk ka patur kurrë asnjë hetim në SHBA as ndaj Partisë Demokratike, as ndaj kompanisë së lobimit, as ndaj ndonjë zyrtari të Partisë Demokratike.

 

Sipas PD-së e gjithë kjo ishte një sajesë e kryeministrit Edi Ramës, për të fshehur një tjetër hetim që po zhvillohej në SHBA.

 

“Sot prokuroria vendosi pushimin e akuzës qesharake që e stisën dhe e përdorën për të goditur kundërshtarin politik sipas një strategjie të miratuar nga zyra e Edi Ramës. Pasi u keqpërdorën duke akuzuar zyrtarët e Partisë Demokratike për pastrim parash dhe përdorim të parave ruse, prokuroria sot u detyrua të pranojë se këto akuzave të stisura nuk qëndrojnë. E vërteta është se ishte Partia Demokratike që i kërkoi Prokurorisë hetimin e plotë dhe të gjithanshëm të financave dhe shpenzimeve të saj, e bindur se ka vepruar në përputhje të plotë me ligjin. Partia Demokratike ka deklaruar që ditën e parë se kjo akuzë u sajua nga Edi Rama për të zhurmuar skandalet korruptive të Qeverisë së tij dhe lidhjet me krimin e organizuar. Partia Demokratike vlerëson faktin që pas 2 viteve të mbajtjes së kësaj çështje të hapur për qëllime propagande qeveritare, çështja është dërguar në gjyq. Tashmë shqiptarët do të kenë mundësi të njihen me dokumentet e plota, në seanca gjyqësore të hapura dhe transparente, ku do të provohet se Partia Demokratike ka bërë transparencë të plotë të financave të saj dhe ka deklaruar në përputhje me ligjin çdo shpenzim të kryer. Ndërkohë që partnerët strategjikë bëjnë thirrje për reforma që forcojnë pavarësinë e institucioneve, drejtësia e kontrolluar nga Edi Rama, nuk heton krimet dhe korrupsionin qeveritar, mbyll sytë përpara lidhjeve të krimit me politikën, dhe sajon akuza kundër kundërshtarit politik të Edi Ramës. Sot u vërtetua se nuk ka patur kurrë asnjë hetim në SHBA as ndaj Partisë Demokratike, as ndaj kompanisë së lobimit, as ndaj ndonjë zyrtari të Partisë Demokratike. Ajo ishte një sajesë e Edi Ramës, për të fshehur një tjetër hetim që po zhvillohej në SHBA. Në të vërtetë, në SHBA ka patur vetëm një hetim që lidhet me Shqipërinë dhe që ka përfunduar me dënimin e të paktën 2 personave, mbi financimin e paligjshëm të Edi Ramës.”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *