Prokuroria e Durrësit ka dalë me një njoftim zyrtar për vetëvrasjen e Bedrie Lokës në datën 2 janar 2024.

Për ngjarjen e rëndë është arrestuar bashkëshorti i viktimës Xhemal Loka, i cili u la në burg nga gjykata.

Në njoftimin për media, prokuroria bën me dije se pas kontrollit të banesës së viktimës, në katin e parë është gjetur një shishe plastike me ujë dhe disa kapsula me tub cilindrik të dyshuar fotoksinë, të cilat dyshohet se i ka konsumuar Bedrie Loka.

Kjo e fundit, u dërgua nga familjarët e saj në spitalin e Durrësit e më pas në Tiranë për ndihmë mjekësore, por ndërroi jetë pas komplikacioneve shëndetësore.

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, më datë 05.01.2024, ka regjistruar procedimin penal nr. 26, të vitit 2024 për veprën penale të “Shkaktimit të vetëvrasjes” parashikuar nga neni 99 i Kodit Penal, pasi më datë 02.01.2024, në Sallën Operative të Stacionit të Policisë Manzë, Durrës, ka mbërritur njoftimi se shtetësja B. L., ka konsumuar lëndë të dyshuar fotoksinë në banesën e saj dhe është dërguar me urgjencë nga familjarët e saj fillimisht në Spitalin Rajonal Durrës e më pas në Qendrën Spitalore Tiranë”. Me marrjen dijeni për sa më sipër, është realizuar këqyrja e banesës së familjes ku jetonte e ndjera, ku “në katin e parë të banesës janë gjetur një shishe plastike me ujë dhe disa kapsula me tub cilindrik të dyshuar fotoksinë, të cilat dyshohet se i ka konsumuar kjo shtetase. Pavarësisht faktit se gjendej e shtruar pranë Qëndrës Spitalore Universitare (QSU) “Nënë Tereza” Tiranë dhe nën kujdesin e mjekëve, më datë 03.01.2024, shtetësja B.L. ndërroi jetë si pasojë e komplikacioneve shëndetësore”, thuhet në njoftimin e prokurorisë.

Prokuroria thotë gjithashtu se nga provat e mbledhura, faktohet se Xhemal Loka ka ushtruar dhunë sistematike ndaj bashkëshortes së tij.

Nga deklarimet e marra familjarëve të të ndjerës, nga kqyrja e telefonave celularë si dhe veprimeve të tjera hetimore ka dyshime të bazuara në prova se i ndaluari ushtronte dhunë fizike dhe psikike ndaj të ndjerës, keqtrajtim i cili ka qenë sistematik  dhe që dyshohet të kenë cuar të ndjerën në vetvrasje“, njofton prokuroria.

Xhemal Loka në seancën e kësaj të hëne mohoi akuzat që rëndojnë mbi të, duke theksuar se nuk ka pasur debate me bashkëshorten dhe se nuk e ka shtyrë drejt aktit të rëndë. Ai shtoi se bashkëshortja e tij ka qenë e shqetësuar për hapjen e adresës në Tik Tok.

Nga ana tjetër, familjarët e viktimës akuzojnë Xhemalin se ka ushtruar sistematikisht dhunë fizike dhe psikologjike ndaj Bedries./vizionplus.tv

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *