Unioni i Prokurorëve e konsideron si mjet presioni mbi punonjësit e drejtësisë, draftin përfundimtar të ekspertëve të nivelit të lartë lidhur me ndryshimet në Kushtetutë. Në rezolutën e tyre thuhet se ngritja e një sërë institucionesh të reja për kontrollin reciprok të njëri-tjetrit, duket se zbeh rolin e figurës bazë që është gjyqtari dhe prokurori. Sipas unionit të prokurorëve, reforma synon më tepër vendosjen e një sistemi rigoroz kontrollues mbi gjyqtarin dhe prokurorin dhe nuk merret me statusin e tyre, trajtimin ekonomik dhe financiar, apo me mbrojtjen dhe rritjen e pavarësisë se sistemit. Unioni shprehet se është e panatyrshme ndarja e prokurorisë në dy “degë” të pavarura nga njëra-tjetra. Gjithashtu në rezolutë paraqitet shqetësim lidhur me paanshmërinë dhe pavarësinë e Komisioneve të Posaçme të Kontrollit.