Subscribe

Shtetet e Bashkuara të Amerikës po ndjekin me vëmendje hetimin ndaj ish-ministrit të brendshëm Saimir Tahiri. Për këtë, SHBA ka sjellë në Shqipëri edhe prokurorë federalë që do të asistojnë prokurorinë jo vetëm për çështjen Tahiri, por edhe për disa nga dosjet më të nxehta të krimit të organizuar në vend.

 

Goditja e bandave kryesore në vend do të behet në bazë të një raporti të detajuar të dorëzuar nga Ministria e Brendshme.

 

Pas një takimi prej 60 minutash në ministrinë e brendshme me Fatmir Xhafaj, ambasadori amerikan Donald Lu, duke iu përgjigjur interesit të mediave, tha se në veçanti, procesi ndaj ish-ministrit Tahiri, po monitorohet me kujdes.

 

Diplomati i lartë vërejti se askush nuk është mbi ligjin, por në fund sipas tij duhet të vendosë gjykata.

 

Mësohet se Shtetet e Bashkuara po ndjekin nga afër dhe procese të tjera të krimit të organizuar mes të cilave ajo e grupit të strukturuar kriminal të Emiljano Shullazit proces, i cili vijon ende në Gjykatën e Krimeve të Rënda.

 

Veç kësaj në lupën e Ambasadës janë dhe dosje të tjera të kanabisit, por dhe procese të cilat kanë përfunduar e që ka pasur shkelje nga ana e gjykatave.

 

Takimi i ambasadorit Lu vjen një ditë pasi në Ministrinë e Brendshme u mblodh për herë të parë task forca ndërinstitucionale për goditjen e grupeve të strukturuara kriminale.

 

Në zyrën e ministrit të brendshëm për këtë çështje ishte dhe ambasadorja e Be-së Romana Vlahutin, ndërsa kryeprokurorja e përkohshme priti ekspertë të Euralius,  të cilët do të ofrojnë ndihmë në hetimin e dosjeve të nxehta të drejtësisë Shqiptare.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *